TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Mars 2026, 08:44

Sergey Kiriyenko, i besuari i Putinit që “gatuan” zgjedhjet, nga Hungaria në Donbas

Shkruar nga Gabriele Carrer

Sergey Kiriyenko, i besuari i Putinit që “gatuan” zgjedhjet,

Ai është zëvendësshefi i parë i kabinetit të Kremlinit, teknokrati që menaxhon narrativën e brendshme ruse dhe koordinon interferencat zgjedhore jashtë vendit. Nga operacionet në Moldavi deri te dislokimi i inteligjencës ushtarake në Budapest, Kiriyenko është një nga pasardhësit e mundshëm të liderit aktual rus

Tre oficerë të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) operojnë nën mbulim diplomatik në ambasadën ruse në Budapest. Identitetet e tyre janë të njohura për shërbimet perëndimore. Sipas burimeve të sigurisë kombëtare të tri vendeve evropiane, mandatuesi i tyre është Sergey Kiriyenko, zëvendësshefi i parë i kabinetit të administratës presidenciale të Vladimir Putinit.

Dhe kjo nuk është hera e parë. Në Moldavi, në zgjedhjet e vitit 2024, operativë nën drejtimin e tij menaxhuan rrjete të blerjes së votave, ferma trollësh dhe fushata influence në territor për të dëmtuar presidenten pro-evropiane Maia Sandu.

Rezultatet ishin të paqarta, por manuali operativ mbeti i pandryshuar. E njëjta skemë, ”modeli moldav”, po zbatohet tani në Budapest sipas Vsquare, për të garantuar një mandat të pestë për Viktor Orbán.

Financial Times ka zbuluar se Kremlini ka miratuar një plan të Social Design Agency, tashmë e sanksionuar nga Uashingtoni dhe Londra për fushatën “Doppelgänger” (Sozia), për të përmbytur rrjetet sociale hungareze me përmbajtje pro-Fidesz: Orbánin si një udhëheqës të fortë me miq globalë, ndërsa sfidantin Péter Magyar si një marionetë të Brukselit.

Përmbajtjet janë të projektuara në Rusi, por të paketuara për t’u dukur si vendase. Në qendër të të gjithave është Kiriyenko, 62 vjeç. Ai u shpëton kategorizimeve të thjeshta. Nuk është një silovik, pra nuk vjen nga shërbimet dhe nuk ka grada ushtarake.

Nuk është as oligark. Është një inxhinier i konsensusit që e ka shndërruar politikën e brendshme ruse në një disiplinë teknike. Formimi i tij intelektual është shumë domethënës.

Ai është pasues i Georgij Shchedrovickij, themelues i Rrethit Metodologjik të Moskës në vitet 1950, që e konceptonte shoqërinë si një sistem që duhej menaxhuar përmes asaj që ai e quante “inxhinieri humanitare”.

Pra, jo manipulim, pretendonin dishepujt e tij, por menaxhim i kornizave të komunikimit social. Me Peter Shchedrovickij dhe humanistimin Jefim Ostrovskij, Kiriyenko ka hartuar tekste themeltare mbi “botën ruse”, të kuptuar jo si projekt perandorak, por si udhëheqje kulturore dhe teknologjike.

Sipas propagandës së tyre, bota e re ruse nuk pushton toka të reja, por shfaq imazhe të reja të së ardhmes. Me pushtimin e Kievit në shkurt 2022, kjo filozofi u bë propagandë shtetërore.

Në vitin 1993, Kiriyenko themeloi Garantia Bank në Nizhnij Novgorod, duke lidhur raporte me Boris Nemtsov, atëherë guvernator i rajonit. Kur Nemtsov u bë Ministër i Energjisë, e mori me vete në Moskë. Në mars 1998, në moshën tridhjetë e pesë vjeçare, Kiriyenko u bë kryeministri më i ri në historinë e Rusisë.

Mandati zgjati vetëm 5 muaj, sepse në gusht qeveria shpalli pamundësinë e pagimit të borxhit të jashtëm dhe Kiriyenko u shkarkua. Para se të largohej nga detyra, ishte ai që njoftoi emërimin e Putinit në krye të FSB-së, një gjest që me gjasë e mbrojti nga çdo hakmarrje e ardhshme.

Në vitin 2000 emërohet përfaqësues presidencial në Distriktin Federal të Volgës, me mision rikthimin e guvernatorëve nën kontrollin e Kremlinit. Ia del ta bëjë këtë brenda pesë vjetësh. Gjatë viteve 2005-2016 drejtoi Rosatom, duke e shndërruar në një eksportues global të teknologjisë bërthamore.

Në vitin 2016, Putin e thërret sërish në administratën presidenciale. Me pushtimin e shkurtit 2022, Kiriyenko merr - me nismën e tij, sipas Meduza - përgjegjësinë e menaxhimit të territoreve ukrainase të pushtuara.

Organizon administratat civilo-ushtarake, duke përzgjedhur zyrtarët mes të diplomuarve

të programit të tij “Leaders of Russia”, me të cilin nga viti 2017 formon gjeneratën e ardhshme të kuadrove politikë rusë.

Dy postet kryesore në territoret e pushtuara - kryeministri i të ashtuquajturës Republika Popullore e Donjeckut dhe zëvendëspresidenti i asaj të Luhanskut - u shkojnë dy finalistëve të programit të vitit 2019.

Sistemi i patronazhit i korrikut 2022, me të cilin rajonet ruse financojnë rindërtimin e qyteteve të pushtuara, i jep atij një pushtet shtesë mbi guvernatorët. Në frontin e brendshëm menaxhon zgjedhjet, i mbyll gojën opozitës, krijon dhe shpërbën parti.

Shkolla e guvernatorëve të Ranepa është nën mbikëqyrjen e tij: 55 nga 89 guvernatorët aktualë rusë janë të diplomuarit e tij. Në fund të vitit 2025, Putin krijoi një drejtori të re presidenciale për partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin, duke shpërbërë dy departamente të Dmitrij Kozak, i cili doli nga skena.

Në krye të saj është Vadim Titov, njeriu i besuar i Kiriyenko që nga kohët e Rosatom, pa formim diplomatik konvencional. Perimetri është hapësira post-sovjetike, por në logjikën e Kremlinit kjo përfshin edhe Hungarinë.

Në Francë, dokumentet e analizuara nga Washington Post tregojnë një Kiriyenko në krye të operacioneve të influencës në rrjetet sociale. Në Gjermani, një përpjekje paralele për të bashkuar ekstremet e djathta dhe të majta kundër mbështetjes për Kievin.

Në Itali, aktivitetet e dezinformimit në zgjedhjet e vitit 2022 u përqendruan te energjia, sektor që Kiriyenko e njeh që nga koha e Rosatom, kur në vitin 2008 njoftoi në Romë marrëveshjen për reaktorët bërthamorë italianë.

Djali i tij, Vladimir, është drejtor ekzekutiv i VK dhe është njeriu pas Max, super-aplikacionit që Kremlini po imponon si alternativë ndaj WhatsApp dhe Telegram. Bllokimi i WhatsApp dhe njoftimi i Roskomnadzor për të bllokuar Telegramin nga 1 prilli nuk janë të rastësishëm.

Sa më shumë që përdoruesit migrojnë në Max, aq më shumë rritet influenca e familjes

në ekosistemin digjital rus. Kjo ka krijuar fërkime me FSB-në, e cila ka arrestuar bashkëpunëtorë të Kiriyenko pa e informuar atë, sipas Novaya Gazeta. Raporti me silovikët është ambivalent për arsye strukturore.

Kiriyenko i menaxhon ata në nivel shtëpiak, por disa prej tyre e tejkalojnë individualisht. Megjithatë, ai i ka rezistuar disa tentativave për shkarkim, sepse menaxhon shumë nyje njëkohësisht dhe nuk mund të hiqet pa shkaktuar dëme në sistem.

Sipas shumë personave, ai është një nga kandidatët më të mundshëm për pasardhës të Putinit. Gëzon qasje pothuajse të përditshme te presidenti, marrëdhënie të mira me të gjitha fraksionet dhe një bazë besnikësh të ndërtuar në 20 vjet.

Dhe nuk ka përfaqësuar kurrë një kërcënim për Putinin - gjë e rrallë mes të fuqishmëve në Rusi. Si president, ndoshta do të ndiqte një politikë të jashtme më pak luftarake, duke preferuar mjetet ekonomike ndaj konfrontimit të drejtpërdrejtë.

Në politikën e brendshme, sistemi që ai ka ndërtuar thjesht do të zgjerohej. Për momentin horizonti i tij është Budapesti. Më 12 prill votohet dhe “kuzhinieri” është te “vatra”./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Linkiesta”

zgjedhjet ne hungari donbasi influenca ruse ne hungari

Lini një Përgjigje