Vendimi i Iranit për të emëruar Mohammad Bagher Zolghadr në krye të strukturave të sigurisë sinjalizon një forcim të kontrollit nga rrethi i ngushtë i udhëheqjes dhe një qasje më të ashpër në politikën e brendshme dhe të jashtme. Vlerësimi vjen nga Vali Nasr, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.
Sipas Nasr, Zolghadr konsiderohet i afërt me Ajatollah Mojtaba Khamenei, duke reflektuar konsolidimin e pushtetit nga ky i fundit. “Zolghadr është njeriu i Mojtabas dhe kjo përzgjedhje tregon se ai është në krye”, shkroi Nasr në platformën X.
Ai shtoi se, ndonëse figura të tjera politike si kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf mund të perceptohen si më të pranueshme në raport me Perëndimin, realiteti në terren tregon një drejtim tjetër. Komenti i tij erdhi pasi raportime të pakonfirmuara sugjeruan kontakte mes Ghalibaf dhe presidentit amerikan Donald Trump, pretendime që u mohuan nga vetë Ghalibaf.
Nasr argumenton se emërimi i Zolghadrit tregon një zhvendosje të mëtejshme të pushtetit drejt elementëve më të fortë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Sipas tij, zhvillimet e fundit kanë çuar në forcimin e krahut më agresiv të kësaj strukture.
Ai gjithashtu pretendon se Zolghadr ka qenë i përfshirë në shtypjen e protestave në Iran në vitet 1999 dhe 2009.
Në analizën e tij, Nasr thekson se ky zhvillim nuk sinjalizon hapje ndaj dialogut me Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, ai sugjeron një qëndrim më konfrontues nga ana e Teheranit në periudhën në vijim.
Lini një Përgjigje