Kontingjenti i Divizionit të 82-të Ajror pritet të vendoset në ditët në vijim, ndërsa Uashingtoni deklaron se po zhvillon bisedime me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit.
Rreth 1,000 ushtarë amerikanë nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë së SHBA-së pritet të dislokohen në ditët në vijim në Lindjen e Mesme, sipas dy burimeve të njohura me çështjen. Lëvizja shton praninë ushtarake amerikane në rajon, në një kohë kur administrata Trump deklaron se po zhvillon bisedime me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas burimeve, që i referohet CNN, kontingjenti përfshin gjeneralmajorin Brandon Tegtmeier, komandant i Divizionit të 82-të Ajror, stafin e divizionit, si edhe një batalion të Ekipit të Parë Luftarak të Brigadës, i cili aktualisht shërben si Forca e Reagimit të Menjëhershëm të divizionit.
Elementet e para të stafit të divizionit dhe të batalionit pritet të nisin dislokimin brenda një jave, tha një prej burimeve. Edhe pjesë të tjera të brigadës pritet të dërgohen më vonë, megjithëse këto plane mund të ndryshojnë në varësi të zhvillimeve në terren.
Njësia do të shërbejë si forca “në gatishmëri” në Lindjen e Mesme dhe mund të aktivizohet nëse situata e kërkon. Divizioni i 82-të Ajror kreu një lëvizje të ngjashme edhe në vitin 2020, pas vrasjes së komandantit iranian Qasem Soleimani.
Forca e Reagimit të Menjëhershëm është një brigadë që mund të lëvizë me njoftim të kufizuar dhe vepron si forcë e shpejtë ndërhyrjeje, e aftë të dislokohet brenda pak orësh kur thirret. Ky rol kalon me rotacion mes brigadave të ushtrisë amerikane.
Një prej burimeve tha se ende nuk ishin lëshuar urdhrat zyrtarë për dislokim, por ato priteshin shumë shpejt.
Presidenti Donald Trump deklaroi të hënën se SHBA-ja dhe Irani kishin arritur marrëveshje në 15 pika gjatë kontakteve për t’i dhënë fund konfliktit dhe se Teherani dëshironte “në masë të madhe” të arrinte një marrëveshje. Irani më herët kishte mohuar se kishte dialog me SHBA-në, por të martën një burim iranian i tha CNN se kishte pasur “kontakte” mes dy vendeve dhe se Irani ishte i gatshëm të shqyrtonte propozime “të qëndrueshme” për përfundimin e luftës.
Megjithatë, paralelisht me këto kontakte, SHBA-ja po dërgon në rajon edhe mijëra trupa të tjera, përveç forcave të Divizionit të 82-të Ajror.
Sipas raportimit të CNN, dy Njësi Ekspeditare të Marinës dhe dy grupe amfibe të gatishmërisë janë dislokuar së fundmi në rajon, duke sjellë fuqi të konsiderueshme ushtarake dhe opsione shtesë operacionale. Javën e kaluar, CNN raportoi se Njësia e 11-të Ekspeditare e Marinës dhe grupi amfib Boxer kishin përshpejtuar dislokimin e planifikuar dhe ishin ridrejtuar nga Indo-Paqësori drejt Lindjes së Mesme, ku po vendosen gjithashtu edhe Njësia e 31-të Ekspeditare e Marinës dhe grupi amfib Tripoli.
Këto formacione përfshijnë rreth 4,500 marinsa dhe marinarë secila, si edhe një gamë të gjerë kapacitetesh përtej mbështetjes tokësore, përfshirë komponentë të rëndësishëm ajrorë dhe logjistikë.
Lini një Përgjigje