Sipas ish-zyrtarit amerikan të sigurisë kombëtare, Michael Carpenter, skenari më i besueshëm ushtarak mund të ishte shënjestrimi i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei
Donald Trump tashmë ka vendosur forca të mëdha ushtarake në rajon, por përdorimi i tyre ndaj Iranit mbetet i mbushur me rreziqe dhe pasiguri.
Dy javë më parë, kur Trump kërcënoi publikisht regjimin iranian duke u thënë protestuesve se “ndihma po vjen”, SHBA nuk kishte ende kapacitete të mjaftueshme ushtarake në Lindjen e Mesme për ta mbështetur këtë retorikë. Kjo situatë ka ndryshuar ndjeshëm, megjithëse ende mbetet e paqartë se çfarë objektivi strategjik do të kishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Iranit.
Aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Oqeanin Indian, e shoqëruar nga tre shkatërrues të pajisur me raketa Tomahawk. Krahu i saj ajror përfshin avionë modernë F-35C, F/A-18 si dhe EA-18G Growler, të specializuar për neutralizimin e mbrojtjes ajrore armike.
Sipas vëzhgimeve nga burime të hapura, SHBA po dërgon gjithashtu sisteme të mbrojtjes ajrore në Gjirin Persik, përfshirë bateri Patriot dhe THAAD, për të mbrojtur bazat amerikane nga sulme të mundshme me raketa dhe dronë iranianë.
Ndërkohë, rreth 35 avionë luftarakë F-15 janë ridislokuar nga Britania në Jordani, duke forcuar mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe vendeve fqinje në rast përshkallëzimi të konfliktit.
Sipas ish-zyrtarit amerikan të sigurisë kombëtare, Michael Carpenter, skenari më i besueshëm ushtarak mund të ishte shënjestrimi i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, përmes një operacioni kapjeje ose eliminimi. Por ai paralajmëron se goditja e objektivave ushtarake iraniane nuk do ta dobësonte ndjeshëm regjimin.
“Një operacion kundër Khameneit do të ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe me rezultat të pasigurt,” thekson Carpenter, duke nënvizuar se suksesi do të kërkonte inteligjencë të thellë nga brenda Iranit, diçka që mbetet e dyshimtë.
Edhe pse Izraeli arriti të eliminojë disa figura të larta iraniane gjatë përplasjes së vitit të kaluar, masat e sigurisë rreth Khameneit janë forcuar ndjeshëm dhe e kanë mbajtur atë jashtë çdo shënjestre të drejtpërdrejtë.
Nga ana ushtarake, Irani aktualisht ka mbrojtje ajrore të kufizuar përballë sulmeve amerikane, por rreziku i kundërpërgjigjes është i madh. Teherani disponon mijëra raketa balistike të ruajtura në baza nëntokësore, të afta për të goditur objektiva amerikane dhe aleate në rajon.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj Khameneit do të konsiderohej shpallje lufte.
Objektivat kryesore të një kundërsulmi iranian mund të jenë aeroplanmbajtësja amerikane dhe bazat ushtarake në Gjirin Persik, përfshirë bazën ajrore al-Udeid në Katar, selinë e Komandës Qendrore të SHBA-së. Megjithëse këto baza janë të mbrojtura me sisteme moderne antiraketë, përvoja e fundit tregon se jo të gjitha raketat iraniane mund të neutralizohen.
Një tjetër skenar do të ishte bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, rrugë jetike për tregtinë globale të naftës, çka do të kishte pasoja të rënda ekonomike në mbarë botën.
Në fund, megjithëse Irani ka mundësi të kufizuara ushtarake përballë SHBA-së, edhe Uashingtoni nuk ka një rrugë të qartë drejt një fitoreje të shpejtë apo pa pasoja./ Përshtati "Pamfleti" nga "The Guardian"
Lini një Përgjigje