Dokumentet e publikuara sot nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Elon Musk i kishte dërguar email Jeffrey Epstein në fund të vitit 2013 për të koordinuar një vizitë në ishullin e tij në Karaibe.
Këto komunikime bien ndesh me deklaratat e mëparshme të Musk, i cili kishte pohuar se kishte refuzuar ftesat e Epstein për të vizituar ishujt Great St. James dhe Little St. James në Ishujt e Virgjër të SHBA-së, ky i fundit i njohur si qendër e abuzimeve seksuale për dekada me radhë.
Më 13 dhjetor 2013, Musk i shkruante Epstein se do të ndodhej në zonën e Ishujve të Virgjër Britanikë dhe St. Bart gjatë festave, duke e pyetur se kur do të ishte momenti i përshtatshëm për ta vizituar. Epstein iu përgjigj se fillimi i vitit të ri ishte ideal dhe shtoi se “gjithmonë ka hapësirë për ty”.
Në një email tjetër në Ditën e Krishtlindjeve, Epstein sugjeroi datat 2 ose 3 janar dhe u ofrua ta merrte personalisht. Musk fillimisht tha se do të duhej të kthehej në Los Angeles më 2 janar, por më pas la të hapur mundësinë për ta shtyrë udhëtimin një ditë më vonë, duke pyetur: “Kur duhet të shkojmë në ishullin tuaj më 2?”
Nuk është e qartë nëse vizita u realizua përfundimisht, por emailet tregojnë një nivel komunikimi mes tyre që nuk ishte bërë publik më parë.
Përfaqësuesit e Musk nuk kanë reaguar ende ndaj kërkesave për koment.
Vitin e kaluar, gjatë përplasjes së tij me Presidentin Donald Trump, Musk kishte sugjeruar se publikimi i dosjeve të Epstein po vonohej sepse emri i presidentit ndodhej në to. Ndërkohë, në shtator, pasi emri i tij u përfshi në dokumente të tjera, Musk u distancua publikisht nga Epstein, duke shkruar në X se kishte refuzuar ftesat për në ishull.
Lini një Përgjigje