
Paramount Skydance (PSKY) ka rënë dakord të blejë Warner Bros Discovery për 110 miliardë dollarë, në një marrëveshje të nënshkruar sot pas tërheqjes së Netflix nga gara, raportoi Reuters.
“Netflix kishte të drejtën ligjore të barazonte ofertën e PSKY. Siç e dini të gjithë, ata në fund zgjodhën të mos e bënin. Kjo çoi në nënshkrimin e marrëveshjes me PSKY këtë mëngjes”, deklaroi Bruce Campbell, drejtor i të ardhurave dhe strategjisë në Warner Bros, gjatë një informimi të brendshëm.
Sipas Reuters, marrëveshja përmbyll një proces konkurrues ofertash. Netflix vendosi të mos barazojë ofertën e fundit të Paramount prej 31 dollarësh për aksion. Kjo ofertë u konsiderua më e favorshme se marrëveshja prej 27.75 dollarësh për aksion që Warner Bros kishte arritur më herët me Netflix për studiot dhe bizneset e transmetimit.
Pas njoftimit, aksionet e Paramount u rritën me 24%, ndërsa ato të Netflix me 13%, ndërsa investitorët reaguan pozitivisht ndaj vendimit të Netflix për t’u tërhequr nga gara.
Reuters raportoi se Paramount pritet të sigurojë relativisht lehtë miratimin nga autoritetet e konkurrencës të Bashkimit Evropian, me kërkesa të kufizuara për shitje asetesh. Megjithatë, marrëveshja ka tërhequr vëmendjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë, Rob Bonta, i cili deklaroi se zyra e tij ka nisur një hetim dhe do të kryejë një shqyrtim të plotë të transaksionit.
Marrëveshja, e cila përfshin rreth 29 miliardë dollarë borxh, përfaqëson një nga riorganizimet më të mëdha në industrinë e argëtimit në Hollywood. Ajo do të krijojë një nga studiot më të mëdha filmike në nivel global dhe do t’i japë Paramount akses në portofolin e pronës intelektuale të Warner, përfshirë franchise si “Fantastic Beasts” dhe “The Matrix”.
Transaksioni do t’i mundësojë gjithashtu Paramount të forcojë strategjinë e saj në transmetim, përmes një kombinimi të mundshëm të platformave HBO Max dhe Paramount+, me synimin për të rritur pjesën e tregut dhe për të konkurruar më fort me liderin aktual, Netflix.
Lini një Përgjigje