Pavarësisht këtyre kritikave, rëndësia strategjike e Turqisë në NATO, pozicioni i saj gjeografik dhe roli i saj në sigurinë rajonale vazhdojnë ta bëjnë Ankaranë një partner të domosdoshëm për aleancën perëndimore.
Një operacion i madh për kontrollin e sigurisë është zhvilluar në Ankara përpara samitit të NATO-s muajin e ardhshëm dhe arrestuan më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste, përfshirë organizatën Shteti Islamik (ISIS) .
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë të aleancës me 32 anëtarë në kryeqytetin turk për samitin më 7-8 korrik.
Turqia po planifikon masa të rrepta sigurie për samitin, duke përfshirë ndalimin e demonstratave dhe kufizimin e aksesit në rrugët që të çojnë në aeroporte, si dhe izolimin e zonave të tëra përreth vendit të samitit dhe hoteleve që presin delegacionet.
Qeveria e Rexhep Tajip Erdoganit i ka dhënë përparësi sigurisë dhe autoritetet kryejnë rregullisht bastisje sigurie. Muajin e kaluar, forcat e sigurisë arrestuan 324 persona të dyshuar për lidhje me ISIS-in në një operacion mbarëkombëtar.
Herët këtë mëngjes, prokurorët turq lëshuan urdhër-arreste për 241 të dyshuar dhe 209 prej tyre u arrestuan më pas në bastisjet e policisë dhe xhandarmërisë rreth Ankarasë, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm në një deklaratë. Bastisjet ishin ende në vazhdim të martën vonë për të arrestuar të dyshuarit e mbetur.
Midis të arrestuarve ishin 56 të dyshuar si luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 35 anëtarë të Partisë Frontit Revolucionar të Çlirimit të Popullit, një grup i ekstremit të majtë i njohur për sulme të armatosura dhe vrasje në Turqi.
Grupi Shteti Islamik ka kryer gjithashtu sulme të shumta vdekjeprurëse në Turqi, përfshirë një sulm me armë natën e Vitit të Ri 2017 në një klub nate në Stamboll që vrau 39 persona.
Axhenda e samitit të NATO-së në Ankara
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po përgatitet të presë samitin e NATO-s në Ankara më 7 korrik 2026, një ngjarje me rëndësi të lartë politike dhe strategjike për aleancën ushtarake perëndimore.
Samiti pritet të nxjerrë në pah rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Turqisë në arkitekturën e sigurisë së NATO-s, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës. Pozicioni gjeografik i Turqisë, që shtrihet përballë Rusisë në Detin e Zi, ka fituar peshë të veçantë në kuadër të strategjisë së re dhjetëvjeçare të NATO-s, e miratuar në vitin 2022 dhe e përqendruar te përballja me kërcënimin rus.
Megjithatë, vendimi për t’i besuar Erdoganit drejtimin e samitit ka vënë në pah edhe disa kontradikta që aleatët perëndimorë kanë zgjedhur t’i anashkalojnë.
Një prej tyre lidhet me marrëdhëniet energjetike mes Ankarasë dhe Moskës. Ndërsa Turqia kundërshton zyrtarisht luftën e Rusisë në Ukrainë dhe mbetet një anëtare kyçe e NATO-s, ajo vazhdon të blejë sasi të mëdha gazi natyror rus.
Rusia mbetet furnizuesi më i madh i gazit për Turqinë, duke siguruar më shumë se gjysmën e importeve turke përmes gazsjellësve.Sipas raportimeve, Ankaraja jo vetëm që ka rinovuar në dhjetor kontratat ekzistuese të furnizimit me gaz rus, por gjatë muajve të fundit ka zgjeruar më tej bashkëpunimin energjetik me Moskën. Marrëveshja e re me kompaninë shtetërore ruse Gazprom u bë publike më 31 maj gjatë Forumit Energjetik të Bakusë nga ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Rusia ka humbur pjesën më të madhe të tregut evropian të gazit dhe vazhdon luftën në Ukrainë, në kufijtë lindorë të Evropës.
Për pasojë, udhëheqësit e NATO-s do të përballen sërish me situatën ku një aleat i rëndësishëm i aleancës mban marrëdhënie të ngushta ekonomike me kundërshtarin kryesor strategjik të Perëndimit.
Kritikët argumentojnë se toleranca e aleatëve ndaj politikave të Erdoganit nuk kufizohet vetëm te marrëdhëniet me Rusinë.
Sipas tyre, për vite me radhë vendet perëndimore kanë mbyllur sytë edhe ndaj përkeqësimit të standardeve demokratike në Turqi.
Recep Tayyip Erdogan drejton Turqinë që nga viti 2003, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president. Gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet, ai ka ndërtuar një sistem politik që kritikët e përshkruajnë si gjithnjë e më të centralizuar dhe autoritar, me kompetenca të përqendruara në duart e presidencës.
Pavarësisht këtyre kritikave, rëndësia strategjike e Turqisë në NATO, pozicioni i saj gjeografik dhe roli i saj në sigurinë rajonale vazhdojnë ta bëjnë Ankaranë një partner të domosdoshëm për aleancën perëndimore.
Lini një Përgjigje