TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Maj 2025, 20:22

Nga çfarë duhet të heqë dorë Ukraina për paqen?

Shkruar nga Mary Elise Sarotte

Nga çfarë duhet të heqë dorë Ukraina për paqen?

Mjerisht, kushtet më të mira për Ukrainën janë tashmë jashtë diskutimit: anëtarësimi në NATO mbetet një ëndërr e largët

Ndërsa Putin kremton fitoren e 1945-ës, një marrëveshje që zyrtarizon humbjen e Krimesë mund ta projektojë sërish fuqinë ruse në zemër të Evropës.

Në majin e vitit 1945, fundi i Luftës së Dytë Botërore në Evropë e solli pushtetin sovjetik deri në rrugët e Berlinit. Ushtria e Kuqe luftoi deri atje, si pjesë e përpjekjes më të gjerë të Aleatëve për të mposhtur Gjermaninë naziste. 80 vjet më vonë, fundi i luftës Rusi-Ukrainë mund t’i japë mundësi Moskës të projektojë sërish pushtetin e saj drejt Perëndimit.

Si do të ndodhte kjo? Përmes një lloj marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë - e arritur nën presionin amerikan - që do t’i jepte fund armiqësive në një periudhë afatshkurtër, por do të shpërblente agresionin rus, dhe do të linte të hapur mundësinë e një konflikti të ripërtërirë sapo Moska të rindërtonte forcat e saj.

Ndërsa shanset që tanket ruse të lëvizin drejt perëndimit janë ndoshta të kufizuara, Moska po kryen tashmë vrasje në vende të tjera, ndërhyrje kibernetike, sabotime dhe akte të tjera dhune, përveç sulmit ushtarak në shkallë të plotë në Ukrainë. Këto akte ndoshta do të shtoheshin, duke rritur shanset e përshkallëzimit.

Akoma më keq, çdo lëvizje e mëvonshme drejt Perëndimit nga ana e Rusisë, do të ndodhte në përballje dhe jo në aleancë me demokracitë e Evropës Perëndimore, dhe në kontekstin e rrezikshëm të shkëputjes së SHBA-së nga Evropa. Në këto rrethana, kanë shumë rëndësi kushtet e sakta të çdo lloj marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

Mjerisht, kushtet më të mira për Ukrainën janë tashmë jashtë diskutimit: anëtarësimi në NATO mbetet një ëndërr e largët, dhe s’ka asnjë zëvendësim të gatshëm për garancitë e sigurisë që do të kishte ofruar një anëtarësim i tillë. Por të paktën ekziston ende një “rast më i mirë ose më i keq”, që të paktën e shmang njohjen formale të ndryshimeve të Rusisë në kufijtë e Ukrainës.

Shumëçka do të varet nëse administrata Trump e miraton ose jo këtë skenar. Shumë i vështirë do jetë klasifikimi i statusit të territorit të pushtuar ukrainas, sidomos Krimesë dhe portit të saj të rëndësishëm detar Sevastopol. Ukraina u bë e pavarur nga Moska pas referendumit të 1 dhjetorit 1991, i cili u vlerësua si i lirë dhe i drejtë nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Në ato zgjedhje, pavarësia e Ukrainës mori shumicën absolute të mbështetjes në të gjitha rajonet, përfshirë Krimenë. Në të gjithë Ukrainën, më shumë se 90 për qind e votuesve e mbështetën shkëputjen. Udhëheqësit botërorë - përfshirë presidentin rus në atë kohë, Boris Yelstin - i njohën shpejt kufijtë e Ukrainës, përfshirë Krimenë, si territor sovran të Kievit.

Por pavarësisht njohjes nga Rusia, dhe një traktati ruso-ukrainas të vitit 1997 që i angazhonte të dy vendet për paprekshmërinë e kufijve ekzistues, Putin e rimori Krimenë me forcë në vitin 2014. Ai njoftoi aneksimin e saj pasi forcat ruse hynë në territor, dhe shumë shpejt organizoi një referendum tjetër.

Në dallim nga zgjedhjet e vitit 1991, ato të 2014-ën nuk u njohën nga ndërkombëtarë, pasi u zhvilluan nën një pushtim ushtarak. Shumë pak vende e pranuan zyrtarisht aneksimin. Ka shumë të ngjarë që Ukraina të detyrohet të pranojë humbjen e Krimesë (dhe pjesëve të tjera të pushtuara të territorit të saj të vitit 1991) për një periudhë të pacaktuar.

Kjo jo vetëm për shkak të ndërprerjes së ndihmës ushtarake amerikane. Por sepse evropianët nuk janë aktualisht në gjendje ta mbushin atë boshllëk. Po ashtu, duket sikur SHBA-të janë të gatshme ta njohin zyrtarisht Krimenë si pjesë të Rusisë. Një rezultat më i mirë i negociatave, do të ishte imitimi i elementëve thelbësorë nga historia e Luftës së Ftohtë e vendeve Baltike dhe Gjermanisë Perëndimore.

Edhe pse shtetet baltike ishin bërë të pavarura që pas Luftës së Parë Botërore, Moska i pushtoi ato, dhe i shndërroi në pjesë të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, Uashingtoni nuk e njohu kurrë atë pushtim. Po ashtu, edhe pse Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, ishte e ndarë për më shumë se 40 vjet, as amerikanët dhe as gjermano-perëndimorët nuk e njohën zyrtarisht Gjermaninë Lindore.

Ata deklaruan në një seri traktatesh, se vazhdonte të ekzistonte një komb i bashkuar gjerman, që ishte vetëm përkohësisht i ndarë në dy shtete. Edhe Ukraina duhet të lejohet të shpresojë për një të ardhme më të mirë. Mbi të gjitha, mënyra se si klasifikohen Krimea dhe rajonet e tjera të pushtuara pas ndërprerjes së armiqësive të mëdha, do të ketë pasoja edhe përtej kufijve të Ukrainës.

Siç theksoi së fundmi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ekziston një ndryshim i madh midis një marrëveshjeje paqeje që njeh zyrtarisht aneksimin rus të Krimesë dhe një marrëveshjeje që thjesht e pranon de fakto situatën. Duhet pranuar se asnjëri skenar nuk ndryshon faktet në terren. Por nëse Putin arrin të marrë njohje ligjore nga Kievi nëpërmjet përpjekjeve të Trumpit, kjo do të rriste rreziqet për fqinjët e Rusisë. Pse? Sepse një nga arsyet pse pushtimi i Ukrainës nga Putini ishte kaq tronditës, ishte shkelja e asaj që dukej të ishte një normë e re e botës pas Luftës së Ftohtë: fuqitë e mëdha, nuk do të ndryshonin më me forcë kufijtë në Evropë.

Njohja e plotë e aneksimit të Krimesë nga Rusia nga SHBA-ja do të sinjalizonte një vërtetim të ndryshimeve të dhunshme të kufijve Uashingtoni. Kjo mund ta inkurajojë Putinin të vërë në provë Nenin 5, p.sh duke shtuar aktivitetet kundër shteteve baltike.

Dhe dështimet e përsëritura për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve nga Moska do ta minonin më tej Nenin 5. Më pas Evropa do të kalonte në një epokë post-NATO, duke ngritur një pyetje të frikshme: çfarë do të ndodhte më pas? Politologia amerikane Stacie Goddard shkroi së fundmi në “Foreign Affairs”, se Trump dëshiron “një botë të menaxhuar nga njerëz të fortë që punojnë së bashku” për ta ndarë botën në sfera ndikimi. Rezultati do të ishte një botë e ndarë në 3 pjesë, në të cilën Pekini,

Moska dhe Uashingtoni mund të bënin kryesisht atë që donin. I çuar në ekstrem, ky vizion do t’i lejonte Xi-t të merrte Tajvanin, Putinit të merrte aq sa dëshironte nga ish-blloku sovjetik, dhe Trump të merrte Kanadanë, Groenlandën dhe Panamanë. Ndaj një marrëveshje që shmang njohjen zyrtare nga SHBA-ja (apo ndonjë vend tjetër) të cungimit të Ukrainës, do t’i jepte Kievit një shans për të luftuar më vonë, ose të paktën për ta rifituar territorin me mjete të tjera.

Një marrëveshje e tillë, do të përfshinte gjithashtu vendosjen e trupave nga një koalicion anëtarësh të gatshëm të NATO-s përgjatë vijës së kontrollit dhe përshpejtimin e pranimit të Ukrainës në BE. Nëse kjo nuk është e realizueshme, do të ishte më mirë të përpiqeshim drejt një armëpushimi në stilin e luftës koreane, sesa një lloj marrëveshjeje ku SHBA pranon aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe ndoshta edhe të territoreve të tjera./Përshtati "Pamfleti" nga “Financial Times”

*Shënim: Mary Elise Sarotte, profesoreshë në Universitetin Xhons Hopkins, SHBA.

Lini një Përgjigje