
A është zgjidhje nxjerrja jashtë ligjit e partive radikale, apo kjo vetëm sa i fuqizon ndjenjat anti-demokratike?
Ndoshta po shtrojmë pyetjet e gabuara. Për shembull, kur pyesim se çfarë dëmi mund t’i shkaktojë demokracisë nxjerrja jashtë ligjit e një partie si Alternativa për Gjermaninë (AfD), harrojmë se partitë përbëhen nga udhëheqës dhe votues.
Nuk ekziston parti pa udhëheqës, as parti pa votues. Prirja për t’i parë historitë e partive dhe të shoqërive si histori elitash është baza e populizmit, pra themeli i mashtrimit dhe vetëmashtrimit.
Asnjë shoqëri, madje as ato autokratike apo diktatoriale, nuk ekziston pa pëlqimin e popullit. Mund të jetë një pëlqim autentik, i diktuar nga frika apo indiferenca, por gjithmonë ekziston. Kjo vlen edhe më shumë në demokracitë liberale, ku kundërshtimi nuk kërkon heroizëm, por thjesht guxim për të votuar.
Në çdo shoqëri demokratike ne jemi protagonistë dhe përgjegjës për fatin e vendit tonë. Nëse dikush nuk e kupton këtë, atëherë po e mohon thelbin e demokracisë. Kur qeveria gjermane, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm, thotë “kjo është demokracia, e djathta ekstreme duhet të nxirret jashtë ligjit”, bie në një keqkuptim të rrezikshëm.
Partia gjermane e ekstremit të djathtë, AfD, ka qenë objekt vëzhgimi prej kohësh nga shërbimet sekrete, që së fundmi e shpallën atë të papajtueshme me demokracinë kushtetuese. Por këtu shfaqen disa probleme: Shërbimet sekrete raportojnë te qeveria dhe jo te gjyqësori; dokumenti i prodhuar prej tyre është tepër i përgjithshëm dhe pa prova konkrete për veprime antikushtetuese; dhe së fundmi, mbrojtja ndaj akuzave të shërbimeve sekrete është pothuajse e pamundur.
Siç thekson Giovanni Orsina, “Nëse shumica lodhet nga demokracia, atëherë demokracia ka vdekur!”. Demokracia nuk mbrohet dot me forcë, as me vendime gjyqësore. AfD është problematike, por më shqetësuese është popullariteti i saj, që aktualisht kap 25%. Nxjerrja jashtë ligjit e kësaj partie nuk do të eliminojë zemërimin dhe zhgënjimin me demokracinë, por vetëm sa do t’i forcojë ato.
Kjo situatë shihet edhe në Francë, ku Marine Le Pen është përjashtuar nga zgjedhjet presidenciale nga një vendim ende jo përfundimtar i gjykatës, si dhe në Rumani, ku fitorja e nacionalistit pro-rus Calin Georgescu u anulua bazuar në ndërhyrje të pretenduara të huaja.
A mendon vërtet demokracia se mund ta ruajë veten duke përjashtuar shumicat relative nga loja? Nëse nuk punojmë për ta bërë demokracinë më tërheqëse, vetëm do ta bëjmë më të urryer. Harrojmë shpesh atë që Robert Conquest theksoi: demokracia është gjendje mendore, jo thjesht një sërë rregullash.
Nga Putin tek Erdogan, Trump dhe Orbán, demokracitë po kërcënohen vazhdimisht. Në Europë, AfD dhe Tubimi Kombëtar po fitojnë terren. Në Britani, Nigel Farage po rikthehet në skenë, ndërsa në Itali sundon Giorgia Meloni me politika të brendshme jo liberale.
Ironikisht, shpresa vjen nga Kanadaja dhe Australia, ku e majta liberale fitoi në mënyrë spektakulae, jo për shkak të shqetësimeve demokratike, por për shkak të frikës ekonomike dhe kombëtare nga Trumpizmi. Këtu shfaqet një tjetër paradoks: liberalizmi i majtë po shfaqet më i besueshëm për interesat kombëtare sesa nacionalizmi i djathtë.
Në fund, demokracia liberale mbijeton jo falë forcës së saj, por nga kontradiktat dhe dobësitë e kundërshtarëve të saj./Pamfleti nga“Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje