Mes përfituesve ekonomikë të konfliktit janë shtetet, mbi të gjitha Rusia dhe SHBA, por edhe bankat, kompanitë energjetike dhe prodhuesit e armëve.
Çdo luftë mund të shndërrohet në një mundësi për të rritur fitimet. Kush po përfiton nga konflikti në Iran? Përgjigjja është e dyfishtë: disa shtete dhe shumë kompani private.
Qendra studimore “Derasat”, e mbështetur nga qeveria e Bahreinit, ka përgatitur një analizë të detajuar me pesë “fitues” dhe pesë “humbës” ekonomikë të konfliktit. Raporti shpjegon Abdullah Alabbassi, drejtues në Derasat, gjatë një seminari të organizuar nga ISPI dhe Doha Forum në Milano përllogarit të ardhurat shtesë dhe kostot e krijuara nga lufta. Bëhet fjalë për një bilanc që përditësohet vazhdimisht. Shifrat flasin qartë.
Lufta në Iran: fituesit dhe humbësit
Në krye të listës së fituesve renditet Rusia, me 5.2 miliardë dollarë përfitime shtesë. Kjo lidhet me lehtësimin e sanksioneve nga administrata e Donald Trump dhe me rritjen me 50% të kërkesës nga India.
Rënia e furnizimeve arabe ka nxitur prodhimin e gazit shale në Shtetet e Bashkuara, duke gjeneruar 4.5 miliardë dollarë të ardhura shtesë. E njëjta prirje, megjithëse në shkallë më të vogël, është regjistruar në Norvegji me 1.8 miliardë dollarë dhe në Kanada me 1.2 miliardë dollarë.
Interesant paraqitet rasti i Indonezisë. Të ardhurat e reja, rreth 800 milionë dollarë, nuk vijnë nga nafta, por nga qymyri, i cili është rikthyer si një lëndë e parë shumë e kërkuar, sidomos në Azinë Juglindore.
Në anën tjetër, lista e humbësve nuk sjell shumë surpriza, por shifrat mbeten të konsiderueshme. Kina ka përballuar një kosto shtesë prej 16.8 miliardë dollarësh për të zëvendësuar me çmime më të larta 40-45% të naftës dhe 13.9% të çelikut që importonte nga Gjiri Persik.
Japonia ka pësuar një kosto prej 7.7 miliardë dollarësh, ndërsa India 6.7 miliardë dollarë, e goditur edhe nga mungesa e plehrave kimike. Koreja e Jugut ka shpenzuar 5.4 miliardë dollarë për të siguruar naftë dhe helium nga tregje alternative dhe me çmime më të larta.
Në fund të listës renditet Eurozona, e cila që nga nisja e luftës ka shpenzuar 4.2 miliardë dollarë shtesë, kryesisht për të kompensuar mungesën e furnizimeve me gaz nga Katari.
Megjithatë, jo të gjitha monarkitë e Gjirit janë në humbje. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po kërkojnë rrugë alternative ndaj Ngushticës së Hormuzit. Arabia Saudite ka rritur në maksimum kapacitetin e tubacionit East-West, që transporton rreth 7 milionë fuçi në ditë drejt porteve në Detin e Kuq.
Sipas Eleonora Ardemagni, eksperte e Lindjes së Mesme dhe studiuese në ISPI, emergjenca “e ka shtyrë Arabinë Saudite të rikthejë dialogun me Houthit për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën Bab el-Mandeb dhe të bashkëpunojë me Emiratet, pavarësisht rivaliteteve mes dy vendeve”.
Bilancet e kompanive
Brenda bilanceve kombëtare lëvizin edhe fitimet e kompanive private, jo gjithmonë në të njëjtin drejtim.
Sektori që ka përfituar më shumë është ai i energjisë. Një investigim i BBC-së tregon se në këtë fazë fitimet më të mëdha po i realizojnë multinacionalet europiane.
Sipas BBC-së, fitimet e BP (British Petroleum) janë dyfishuar në tre muajt e parë të vitit 2026, duke arritur në 3.2 miliardë dollarë.
Edhe Shell dhe kompania franceze TotalEnergies kanë tejkaluar pritshmëritë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, me fitime respektivisht 6.92 miliardë dhe 5.4 miliardë dollarë.
Gjigantët amerikanë ExxonMobil dhe Chevron nuk kanë regjistruar rritje të ndjeshme të fitimeve krahasuar me vitin e kaluar, por analistët presin që rezultatet të përmirësohen gjatë muajve në vijim.
Në Itali, ENI ka raportuar fitim operacional prej 3.54 miliardë eurosh dhe një rritje prej 9% të prodhimit.
Në rritje janë edhe kompanitë e energjisë së rinovueshme, jo vetëm në Kinë, por edhe në Europë, si danezet Vestas dhe Orsted në sektorin e energjisë së erës, apo britanikja Octopus Energy në panelet diellore.
Bankat dhe industria e mbrojtjes
Luhatjet në tregjet financiare kanë nxitur tregti intensive të aksioneve dhe instrumenteve financiare, duke rritur fitimet e bankave, veçanërisht të gjashtë bankave më të mëdha amerikane: J.P. Morgan, Bank of America, Morgan Stanley, Citigroup, Goldman Sachs dhe Wells Fargo.
Sipas BBC-së, këto gjashtë institucione financiare kanë realizuar së bashku 47.7 miliardë dollarë fitime.
Shtylla e tretë e këtij “trekëndëshi të artë” është industria e mbrojtjes. Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, lufta në Iran ka rritur më tej kërkesën globale për sisteme të mbrojtjes ajrore — nga raketat te dronët.
Tre gjigantët amerikanë të sektorit, Lockheed Martin, Boeing dhe Northrop Grumman, kanë njoftuar se kanë siguruar porosi rekord që në tremujorin e parë të vitit.
Edhe kompania britanike BAE Systems pret “rritje të fortë të të ardhurave dhe fitimeve”.
Në Itali, Leonardo e mbylli tremujorin e parë të vitit 2026 me rritje prej 6.9% të të ardhurave dhe 33.2% të fitimit operacional. Porositë kanë arritur në 9 miliardë euro, ose 31% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025./Përshtati "Pamfleti", nga "Corriere della Sera"
Lini një Përgjigje