TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Maj 2026, 08:33

SHBA godet anijen e dyshuar për drogë në Paqësor, dy të vrarë

Shkruar nga Pamfleti

SHBA godet anijen e dyshuar për drogë në Paqësor, dy të

Forcat amerikane kanë ndërmarrë një tjetër operacion të armatosur kundër trafikut të drogës në Paqësorin lindor, ku një anije e dyshuar për kontrabandë narkotikësh u godit nga ushtria amerikane, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

Sipas Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara, anija ishte identifikuar në një zonë të njohur për aktivitetet e trafikut të drogës dhe konsiderohej objektiv i dyshuar për kontrabandë.

Në pamjet video të publikuara nga ushtria amerikane shihet momenti kur mjeti lundrues goditet nga ajo që duket si raketë dhe më pas përfshihet nga flakët në mes të oqeanit.

“Anija po lëvizte në një korridor të njohur të trafikut të narkotikëve”, thuhet në deklaratën e Komandës Jugore të SHBA-së.

Autoritetet amerikane konfirmuan se dy viktimat ishin burra, ndërsa vetëm një person arriti të mbijetojë. Roja Bregdetare amerikane ndërhyri menjëherë me një operacion kërkim-shpëtimi për nxjerrjen e tij nga zona e sulmit.

Operacioni është pjesë e një serie aksionesh të ndërmarra nga SHBA në Paqësor dhe Karaibe në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës. Sipas raportimeve, që nga shtatori janë kryer 58 operacione të ngjashme ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë.

Veprimet e Pentagonit kanë sjellë reagime të forta nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Bëhet fjalë për vrasje jashtëgjyqësore dhe mungesë transparence ligjore”, kanë deklaruar Human Rights Watch dhe Amnesty International, duke dënuar operacionet amerikane.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes i ka mbrojtur sulmet, duke i konsideruar pjesë të luftës kundër “narkoterrorizmit” në rajon.

forcat amerikane operacion trafik droge

Lini një Përgjigje