TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Maj 2026, 06:55

9 Maji i Putinit këtë vit pa tanke, parada që zbulon ankthin e Kremlinit

Shkruar nga Pamfleti
9 Maji i Putinit këtë vit pa tanke, parada që zbulon ankthin e
Parada në Moskë

Këtë vit, në paradën e famshme të Ditës së Fitores në Moskë nuk do të ketë mjete ushtarake apo mysafirë të rëndësishëm...

Kjo është një ditë e rëndësishme për Rusinë. Data 9 maj afrohet gjithnjë e më shumë dhe në Rusi, veçanërisht në kryeqytetin Moskë, përfaqëson çdo vit një nga përvjetorët më të rëndësishëm për popullin dhe historinë e saj: Ditën e Fitores. Pas kërcënimeve të fundit të Zelenskyt dhe paralajmërimit të Lavrovit, parada e këtij viti duket ndryshe.

Çdo vit, më 9 maj, Rusia përkujton humbjen e Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas nënshkrimit të kapitullimit në Berlin në mbrëmjen e vonë të 8 majit 1945, që sipas orës lokale të Moskës ishte tashmë 9 maj.

Festimi njihet në mbarë botën kryesisht për paradën ushtarake në Sheshin e Kuq, pranë Kremlinit. Në të marrin pjesë njësi ushtarake, por mbi të gjitha tanke dhe mjete luftarake që kanë qenë simbol i mbrojtjes së kauzës ruse ndër vite. Megjithatë, këtë vit ceremonia pritet të ketë një karakter dukshëm ndryshe.

Historia e Ditës së Fitores

Pas dorëzimit të Gjermanisë naziste në Berlin gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili u nënshkrua në mbrëmjen e 8 majit 1945, kur në Moskë kishte hyrë tashmë data 9 maj, Bashkimi Sovjetik shpalli me solemnitet fitoren në atë që u quajt “Lufta e Madhe Patriotike”.

Megjithatë, Dita e Fitores u vendos zyrtarisht vetëm në vitin 1965, ndërsa deri në vitet 1990 nuk festohej çdo vit me paradë, por vetëm çdo pesë vjet, në përvjetorët e rëndësishëm.

Ajo filloi të marrë rëndësinë që ka sot sidomos pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putinit në vitin 2000. Veçanërisht nga viti 2005 dhe 60-vjetori i saj, me ftesë të hapur për liderët perëndimorë, Putini e shndërroi festën në një ngjarje me simbolikë të fortë kombëtare dhe politike.

Megjithatë, pika e kthesës ishte viti 2015, kur në Moskë parakaluan 16 mijë ushtarë rusë, 1.300 ushtarakë të huaj nga 10 vende, rreth 200 mjete të blinduara dhe 143 avionë e helikopterë luftarakë.

9 maji vazhdon të festohet me parada dhe manifestime jo vetëm në të gjithë Rusinë, por edhe në disa vende të ish-bllokut sovjetik dhe të Europës Lindore.

Parada e “Regjimentit të të Pavdekshmëve”

Parada e “Regjimentit të të Pavdekshmëve” përbën një pjesë të rëndësishme të kremtimeve. Në të zakonisht marrin pjesë familjarë të ushtarëve rusë që humbën jetën gjatë luftës, të cilët konsiderohen heronj të Rusisë sepse ranë duke luftuar kundër nazizmit.

Kjo paradë zhvillohej zakonisht në formën e një marshimi, ku pjesëmarrësit mbanin fotografi të të afërmve të tyre të ndjerë. Katër vitet e fundit, autoritetet në Moskë kanë krijuar edhe një faqe interneti ku familjarët mund të ngarkojnë fotografi dhe histori të heronjve të tyre.

Parada pa të ftuar, internet dhe tanke

Parada për përkujtimin e kapitullimit të Gjermanisë naziste në vitin 1945, e cila tradicionalisht ka qenë një rast krenarie dhe prestigji për Kremlinin, këtë vit do të jetë dukshëm më e kufizuar.

Kremlini ka paralajmëruar prej kohësh ndërprerje të mundshme totale të internetit, të cilat prej muajsh ndodhin herë pas here, sidomos gjatë periudhës 5–9 maj.

Arsyeja lidhet me shqetësimet për sigurinë dhe me frikën nga sulme të mundshme ukrainase gjatë kësaj dite.

Për më tepër, është njoftuar se për herë të parë pas 20 vitesh, mjetet ushtarake nuk do të marrin pjesë në paradë. Bëhet fjalë për një paradë që tradicionalisht përfshinte tanke dhe mjete të blinduara, të cilat kanë qenë simbol i historisë ushtarake ruse, por që këtë vit mungojnë për “arsye sigurie”.

Në krahasim me vitet e kaluara, kur merrnin pjesë kryeministra dhe figura të rëndësishme politike, si presidenti kinez Xi Jinping, këtë vit duket se nuk do të ketë mysafirë të rëndësishëm. I vetmi lider që pritet të marrë pjesë është kryeministri sllovak Robert Fico.

Megjithatë, Fico ka bërë të ditur se do të marrë pjesë vetëm në një pjesë të ceremonisë, atë që paraprin paradën dhe përfshin vendosjen e luleve pranë Kremlinit, te Monumenti i Ushtarit të Panjohur.

Armëpushimi i dështuar me Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin kishte propozuar një armëpushim me rastin e paradës së 9 majit, e cila shpesh përshkruhet si “e shenjtë”.

Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kundërshtoi, duke propozuar një armëpushim që të mos kufizohej vetëm në 8 dhe 9 maj, por të zgjaste nga 6 deri më 9 maj.

Pavarësisht kësaj, sulmet ruse nuk treguan shenja tërheqjeje dhe armëpushimi përfundoi sërish në ngërç.

Disa zyrtarë ushtarakë ukrainas deklaruan se që më 6 maj, katër ushtarë ukrainas ishin plagosur si pasojë e veprimeve ruse në rajonin e Pokrovskut gjatë periudhës së armëpushimit. Gjithashtu, gjatë natës u goditën infrastruktura në Zaporizhia dhe Kryvyi Rih, si dhe ndërtesa banimi në Kharkiv.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 53 dronë ukrainas gjatë natës mes 5 dhe 6 majit mbi rajonet Belgorod, Bryansk dhe Kursk, si dhe mbi rajonin e Moskës, Krimenë dhe Detin e Zi.

 

parada putin kremlini 9 maji

Lini një Përgjigje