Leo ende ruan sensin e humorit. Një tjetër mik, fretëri augustinian, At Tom McCarthy, tha se pas zgjedhjes e përqafoi Leon, por më pas e pyeti nëse duhej ta kishte bërë këtë. “Ishin gati të të qëllonin!” bëri shaka papa…
Papa Leo XIV po shënon një vit që nga zgjedhja e tij historike, duke kaluar nga një kardinal me profil të ulët në një nga figurat më të njohura në planet.
Zgjedhja e tij solli diçka që më parë mendohej e pamundur: një papë amerikan. Por pontifikati i tij është zhvilluar gjatë një periudhe historike tensionesh mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit, me fretërin augustinian që mori detyrën vetëm pak muaj pas rizgjedhjes së Presidentit Donald Trump.
Ata që e njohin mirë Papën thonë se ai mbetet i njëjti person, pavarësisht ndryshimeve monumentale të 365 ditëve të fundit. “Nuk shohim ndryshime të mëdha,” tha për CNN, At Joseph Farrell, prior i përgjithshëm i Urdhrit Augustinian dhe mik i Papa Leo XIV.
Ai shtoi se “ende duket paksa e pabesueshme ta shohësh atë si papë, por njëkohësisht ka shumë kuptim. Siç më tha një nga fretërit tanë: ‘duket sikur shkoi në shkollë për t’u bërë papë.’”
Dhe Leo ende ruan sensin e humorit. Një tjetër mik, fretëri augustinian, At Tom McCarthy, tha se pas zgjedhjes e përqafoi Leon, por më pas e pyeti nëse duhej ta kishte bërë këtë. “Ishin gati të të qëllonin!” bëri shaka papa.
Pra, pas 12 muajsh në detyrë, çfarë kemi mësuar për papën e parë amerikan?
1. Ai nuk ka frikë të flasë, edhe nëse irriton Trumpin
Stili i Leo XIV është i matur dhe i kujdesshëm dhe, si matematikan, ai ndjek një qasje të orientuar drejt procesit për zgjidhjen e problemeve. Ai është gjithashtu më formal në veshje dhe stil sesa paraardhësi i tij, Papa Françesku, i cili ishte më prirur të thyente protokollet. Megjithatë, Leo ndjek Françeskun kur bëhet fjalë për emigracionin, mjedisin, varfërinë dhe dënimin me vdekje. Vitet që kaloi në Peru, duke shërbyer mes disa prej komuniteteve më të varfra, i kanë dhënë një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale. Ai e ka përshkruar trajtimin e emigrantëve në SHBA si “çnjerëzor”, ndërsa së fundmi bëri thirrje për heqjen e dënimit me vdekje. “Papa Leo XIV ka arritur të sigurojë që zëri dhe veprimet e tij të dëgjohen dhe të shihen me forcë të veçantë, duke mos u tërhequr nga thirrjet për paqe botërore, mbështetja për emigrantët dhe apelimi kundër përdorimit të armëve bërthamore”, tha për CNN-in gazetarja investigative peruane Paola Ugaz, e cila e njeh mirë papën.

Megjithatë, lufta me Iranin është fusha ku papa ka folur më fort, duke marrë vendimin e pazakontë për të përmendur Trumpin me emër dhe për të dënuar çdo justifikim fetar të konfliktit. Fjalimet e papës gjatë vizitës së tij të fundit në Afrikë ishin të guximshme; Leo tha në Kamerun se bota po “shkatërrohet nga një grusht tiranësh” dhe kritikoi korrupsionin. “E vetmja gjë që kam vënë re se e rëndon është tragjedia e luftës dhe vuajtjet që përjetojnë njerëzit,” tha Farrell, duke shtuar “përgjigjja e tij ka qenë shumë e qartë, se rruga drejt zgjidhjes së problemeve nuk është me armë, por me çarmatim dhe dialog”.
Qëndrimet e drejtpërdrejta të Leos kanë shkaktuar një përplasje të paprecedentë mes një pape të lindur në SHBA dhe një presidenti amerikan. Megjithatë, përballë një vale të jashtëzakonshme kritikash, Leo duket i patrazuar.
Kardinali Blase Cupich nga Çikago tha për CNN se kjo ndodh sepse papa “nuk e sheh veten si rival të asnjë kreu shteti” dhe se misioni i tij është të sjellë “një perspektivë unike, përtej çdo kombi.”
Cupich tha se kritikat e Trumpit nuk do ta kishin shqetësuar Leon, sepse “frustrimi dhe zemërimi janë luks që ai nuk mund t’ia lejojë vetes.” Në vend të kësaj, kardinali shpjegoi se papa “do të bëjë atë që është e drejtë” dhe “nuk do të luhatet.”
2. Ai po sjell një frymë amerikane në Vatikan
12 muajt e fundit kanë sjellë një atmosferë tipike amerikane në Vatikan, nga papa që mban një kapele të ekipit White Sox deri te marrja e byrekëve me kungull gjatë fluturimit të tij të parë jashtë vendit në Ditën e Falënderimeve. Në papamobil në Sheshin e Shën Pjetrit, ai shpesh bën shaka për rezultatet e bejsbollit (është tifoz i apasionuar i White Sox) dhe pranon një copë pice “deep-dish” ose karamelet e tij të preferuara, Peeps.

Një tjetër risi është fakti se kemi një papë që flet anglisht si gjuhë amtare, diçka që nuk është parë prej shekujsh. Ndërsa paraardhësit e tij shpesh përktheheshin ose titroheshin në anglisht, papa aktual flet me një theks tipik të Midwest-it amerikan, duke i dhënë fjalëve dhe ndërhyrjeve të tij ndikim më të madh tek publiku anglishtfolës.
3. Ai nuk po nxiton me reformat
Cupich thotë se papa po vazhdon vizionin reformues të Papa Françeskut, i cili këmbënguli për një Kishë Katolike më përfshirëse me role më të mëdha për gratë dhe ata që nuk janë pjesë e hierarkisë. Megjithatë, Cupich insiston se Leo po vazhdon edhe punën e Koncilit të Dytë të Vatikanit, mbledhjes së peshkopëve të viteve 1962-1965, që përcaktoi vizionin e Kishës bashkëkohore. Françesku deklaroi dikur “kush jam unë për të gjykuar” kur bëhej fjalë për priftërinjtë homoseksualë, ndërsa Leo ka riformuluar në mënyrë më të kujdesshme pyetjet mbi seksualitetin. “Priremi të mendojmë se kur Kisha flet për moralin, çështja e vetme morale është seksualiteti,” tha ai muajin e kaluar. Në vijim shtoi se “në realitet, besoj se ka çështje shumë më të mëdha dhe më të rëndësishme, si drejtësia, barazia, liria e burrave dhe grave, liria fetare, të cilat duhet të kenë përparësi ndaj asaj çështjeje të veçantë.”

Ndërsa papa ka sinjalizuar se nuk do të bëjë ndryshime të mëdha, ai po ndjek një qasje hap pas hapi, duke emëruar gra në poste të larta në Vatikan. “Stili i Leo XIV është i matur, me pak fjalë por të nevojshme, dhe kur merr një vendim, nuk ka kthim pas”, tha Ugaz.
Sa i përket skandalit të abuzimeve seksuale nga klerikët, ai është takuar rregullisht me të mbijetuarit dhe ka insistuar se nuk mund të ketë “asnjë tolerancë për çdo formë abuzimi në Kishë.”
4. Ai është i aftë në teknologji
“Ai është shumë i aftë me teknologjinë,” tha McCarthy. Leo është papa i parë që ndihet rehat duke përdorur smartphone, duke mbajtur Apple Watch dhe duke shkruar vetë emailet e tij. John Prevost, një nga vëllezërit e papës, i tha së fundmi Erin Burnett të CNN se Leo e ndihmoi të rifitonte aksesin në kompjuterin e tij të ri kur kishte mbetur “i bllokuar jashtë.”

Ai u pa gjithashtu kohët e fundit në Afrikë duke këshilluar fotografin e Vatikanit se si të kompozonte një foto dhe më parë ka ndihmuar kardinalë e peshkopë të pozicionohen për fotografi. Ai është gjithashtu shumë i vetëdijshëm për median dhe për atë që raportohet, duke bërë shaka një herë me gazetarët: “mendoni se mund të lexoni mendjen apo fytyrën time. Nuk keni gjithmonë të drejtë”. Ndërkohë, enciklika e tij e parë, një letër formale drejtuar peshkopëve të botës, pritet të fokusohet tek inteligjenca artificiale, temë për të cilën ai ka folur disa herë.
5. Ai po riformëson në heshtje drejtimin e Kishës amerikane
Një nga mënyrat më të sigurta përmes së cilës një papë mund të ndikojë Kishën dhe angazhimin e saj në politikë është emërimi i peshkopëve, dhe Leo ka bërë një sërë zgjedhjesh me ndikim për Kishën amerikane gjatë vitit të tij të parë.
Në Nju Jork, ai zgjodhi Kryepeshkopin Ronald Hicks, një tjetër nga Çikago që ka kaluar kohë në Amerikën Latine, si dhe Evelio Menjivar-Ayala, një mbrojtës i emigrantëve i lindur në Salvador, si peshkopin e ardhshëm të Wheeling-Charleston në Virxhinian Perëndimore. Menjivar-Ayala, i cili hyri ilegalisht në SHBA i fshehur në bagazhin e një makine në vitin 1990, ka kritikuar politikat e emigracionit të administratës Trump.

Në fakt, tre nga katër emërimet e para të peshkopëve amerikanë nga Leo kanë qenë persona të lindur jashtë vendit. Mes tyre është edhe Peshkopi Michael Pham në San Diego, i cili mbërriti në Amerikë si refugjat fëmijë nga Vietnami. Këto zgjedhje kanë përforcuar qëndrimin e tij për emigracionin: se të ardhurit e rinj, kur mirëpriten dhe integrohen, mund ta forcojnë vendin e tyre të ri.
6. “Efekti Leo” mund të qëndrojë pas rritjes së interesit për katolicizmin
Viti i tij i parë në detyrë ka përkuar me një ringjallje të interesit për Kishën në SHBA dhe Evropë, veçanërisht tek Gjenerata Z. Urdhri i tij augustinian ka raportuar gjithashtu një rritje të të rinjve që duan t’i bashkohen urdhrit, fenomen që disa e quajnë “efekti Leo.”
Një papë i lindur në SHBA ka mundësinë të lidhet me një brez të ri që duket më i hapur për të eksploruar çështjet e besimit, veçanërisht pas izolimeve të pandemisë Covid-19 që kufizuan praktikimin e fesë, dhe në një periudhë pasigurie të shtuar.

Në moshën 70-vjeçare, Leo është më i ri se paraardhësit e tij të menjëhershëm dhe, si i tillë, mund të mendojë në plan afatgjatë. Viti i tij i parë ka qenë një periudhë përshtatjeje, e fokusuar në konsolidimin e rolit të tij dhe në shndërrimin e rrënjëve amerikane në avantazh, së bashku me përvojën e tij në Amerikën Latine. Ugaz thotë se perspektiva e Leos ka “tri dimensione: Shtetet e Bashkuara, një Amerikë Latine e shënuar nga diversiteti dhe një Vatikan ku betejat që duhen zhvilluar duhet të zgjidhen me kujdes çdo ditë.”
Ai është përqendruar gjithashtu në misionin e tij kryesor si papë, ndjekjen e paqes, edhe nëse kjo do të thotë të irritojë ata që janë në pushtet. /Përshtati Pamfleti nga CNN/
Lini një Përgjigje