Në kulmin e debateve që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit, moderatorja Einxhel Shkira ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që janë përfshirë në zhvillimet e fundit në Tiranë.
Debati nisi pas një postimi të Ramës, në të cilin ai argumentoi se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen pjesë e diasporës së Shqipërisë, pasi ata jetojnë në shtetet e tyre dhe nuk janë emigrantë në vende të huaja. Kryeministri shtoi se paraqitja e tyre si “diasporë” në Tiranë i shërben, sipas tij, një narrative politike që nxit ndasi.
Ky qëndrim është kundërshtuar nga Shkira, e cila në reagimin e saj në rrjetet sociale e cilësoi hipokrizi ndarjen e shqiptarëve sipas kufijve shtetërorë.
“Çfarë hipokrizie t’u thuash bashkëkombasve të tu se nuk përkasin në Shqipëri, sepse ky shtet na qenka i joti dhe ata përkasin diku tjetër”, shkroi ajo.

Moderatorja argumentoi se shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë pjesë e të njëjtit identitet kombëtar dhe se sukseset e tyre shpesh janë përdorur si arsye krenarie nga politika shqiptare.
“Kur dikush prej tyre ka arritje ndërkombëtare, vrapon i pari t’i marrësh një copëz nga suksesi, duke u krenuar me shqiptarët e tu. Ndërsa sot, që kanë ardhur në një tokë që i takon sa ty dhe atyre, na qenkan të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi”, shkroi ajo.
Në një reagim tjetër, Shkira kritikoi edhe mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen figurat publike që shprehin qëndrime kritike ndaj qeverisë. Ajo e akuzoi kryeministrin për përdorimin e presionit publik dhe gjuhës denigruese ndaj personazheve të njohur.
“Gjithçka po bën s’të ka hije, si burrë shteti që ke marrë 800 mijë vota, po përpëlitesh aq rëndë sa edhe pak mbase do i dhimbesh njerëzve”, u shpreh ajo.
Shkira shtoi se përpjekjet për të intimiduar personazhet publikë nuk do të japin rezultat, duke theksuar se ata janë përballur prej kohësh me sulme dhe etiketime në hapësirën publike.
“Strategjia e intimidimit nëpërmjet bullizimit e ofendimit të influencers nuk do të funksionojë”, deklaroi ajo, duke shtuar se janë “totalisht imunë ndaj çdo lloj forme bullizimi”.

Lini një Përgjigje