
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Piacenzas në Itali, ku një 60-vjeçar me origjinë maqedonase dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij brenda apartamentit ku jetonin.
Sipas mediave italiane, autori i dyshuar, Hako Vitanov, telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 menjëherë pas krimit dhe u tha operatorëve: “Ejani, kam vrarë gruan time”. Pas telefonatës, ai u largua nga banesa, duke humbur gjurmët për disa orë.
Policia dhe karabinierët mbërritën menjëherë në apartamentin e çiftit, në periferi të Piacenzas, ku gjetën trupin e pajetë të 56-vjeçares Milena Vitanova.
“Pranë trupit u gjet edhe një thikë, që dyshohet të jetë përdorur në krim”, raportojnë mediat italiane.
Sipas hetimeve paraprake, viktima kishte plagë dhe shenja në duar, çka ngre dyshimet se ajo ka tentuar të mbrohej gjatë sulmit fatal. Autoritetet italiane pritet të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen pas autopsisë.
Ndërkohë, forcat e rendit nisën menjëherë kërkimet për autorin, i cili u gjet rreth dy orë më vonë në varrezat monumentale të Piacenzas, pranë varrit të djalit të tij që kishte ndërruar jetë vite më parë.
Mediat italiane shkruajnë gjithashtu se 60-vjeçari kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke prerë damarët, por u neutralizua në kohë nga policia. Pas ndihmës së parë mjekësore, ai u arrestua dhe u shoqërua në komisariat.
Çifti kishte katër fëmijë. Dy prej tyre, sipas autoriteteve, ishin larguar nga banesa pak para ngjarjes dhe ndodheshin te një i afërm pranë shtëpisë.
Lini një Përgjigje