TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2026, 15:14

Berisha rinovon kupolën drejtuese të PD, më 1 korrik mbledh Këshillin Kombëtar

Shkruar nga Pamfleti
Berisha rinovon kupolën drejtuese të PD, më 1 korrik mbledh
Këshilli Kombëtar i PD

Këshilli Kombëtar mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të reja. Priten ndryshime në drejtimin e Partisë Demokratike, ndërsa në votim do të shkojnë nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe të gjitha sekretariatet.

Një muaj pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike do të mbledhë më 1 korrik organin më të lartë vendimmarrës mes dy kuvendeve, në një mbledhje ku pritet të rikonfigurohet e gjithë kupola drejtuese e selisë blu.

Në mbledhjen konstituive do të zgjidhet kryetari i ri i Këshillit Kombëtar, ndërsa Këshilli do të votojë edhe për përbërjen e re të Kryesisë, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe të gjithë drejtuesit e sekretariateve të Partisë Demokratike.

Procesi vjen në vijim të Kuvendit Kombëtar të zhvilluar më 30 maj, ku u zgjodhën anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Me votimin e 1 korrikut pritet të marrë formë ekipi politik me të cilin Sali Berisha synon të drejtojë Partinë Demokratike në fazën e re të organizimit dhe përgatitjeve për zgjedhjet vendore.

Burime në Partinë Demokratike bëjnë me dije se priten ndryshime në strukturat drejtuese, me lëvizje si në Kryesi ashtu edhe në sekretariate. Nuk përjashtohet që disa prej drejtuesve aktualë të zëvendësohen, ndërsa emra të rinj të marrin përgjegjësi në organizimin e partisë.

Kupola aktuale e Partisë Demokratike

Aktualisht, sekretar i përgjithshëm i PD është Flamur Noka, ndërsa nënkryetarë të partisë janë Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi.

Në Kryesinë e Partisë Demokratike bëjnë pjesë gjithashtu Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Tomor Alizoti, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Edi Paloka në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Albana Vokshi si kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Besart Xhaferri si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Anëtarë të zgjedhur të Kryesisë janë Aldo Bumçi, Bardh Spahia, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Eleina Qirici, Eno Bozdo, Fatbardha Kadiu, Floriana Garo, Florion Mima, Gent Strazimiri, Grigels Muçollari, Ina Zhupa, Jozefina Topalli, Keltis Kruja, Luan Baçi, Mimoza Hajdarmataj dhe Sorina Koti.

Edhe sekretariatet pritet t'i nënshtrohen një procesi rikonfigurimi. Aktualisht ato drejtohen nga Ervin Minarolli (Organizimi dhe Burimet Njerëzore), Ivi Kaso (Ligjet dhe Çështjet Zgjedhore), Enri Ceno (Marrëdhëniet me Jashtë), Ledina Mandia (Transporti, Lufta kundër Korrupsionit dhe Pronat), Bislim Ahmetaj (Të Drejtat e Njeriut), Lorenc Luka (Të Përndjekurit Politikë), Indrit Hoxha (Emigracioni dhe Diaspora) dhe Ylli Asllani (Pushteti Vendor).

Mbledhja e 1 korrikut konsiderohet një nga vendimmarrjet më të rëndësishme organizative të Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit, pasi do të përcaktojë ekipin drejtues që do të ketë në dorë organizimin politik të opozitës në muajt në vijim.

pd keshilli kombetar

Lini një Përgjigje