TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 15:03

Qeveria shton burgjet, investim 6.4 mln euro në Kukës për ndërtimin e një IEPV-je

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria shton burgjet, investim 6.4 mln euro në Kukës për
Projekti i burgut

Qeveria ka nisur zgjerimin e kapaciteteve të sistemit penitenciar me ndërtimin e një burgu të ri në Kukës.

Investimi, me vlerë 6.4 milionë euro, parashikon ndërtimin e një institucioni me kapacitet për 150 persona të dënuar, ndërsa pritet të krijojë edhe rreth 140 vende të reja pune.

Gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Gogu, tha se objekti i ri do të ketë edhe një rol të rëndësishëm për të dënuarit nga Kosova që vuajnë dënimin në Shqipëri.

"Një nga elementet më të rëndësishme është se 40 persona, shtetas të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri, do të afrohen shumë më pranë familjeve të tyre. Unë besoj që reforma në drejtësi nuk përfundon te vendimi i gjykatës, por është jashtëzakonisht e rëndësishme se si ne atë e shtrijmë edhe në mënyrën se si trajtojmë të dënuarit dhe se si zbatojmë vendimet penale në institucionet tona. Besoj që sot në Kukës po bëjmë pikërisht këtë gjë", deklaroi ministri.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, investimi synon jo vetëm shtimin e kapaciteteve të sistemit të burgjeve, por edhe modernizimin e tij dhe përmirësimin e kushteve të vuajtjes së dënimit.

Duke folur për prioritetet e institucionit, Gogu theksoi se siguria në burgje mbetet objektivi kryesor, paralelisht me garantimin e të drejtave të të dënuarve.

"Synimi ynë kryesor, që në nisje të detyrës së bashku me drejtorin e përgjithshëm të sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale, ka qenë që sistemi të jetë i sigurt dhe është i tillë. Prandaj është shtuar numri i inspektimeve dhe kontrolleve, të cilat kanë rezultuar në zbatim të mëtejshëm të ligjit, si për shkelësit e ligjit, ashtu edhe për ata të dënuar që meritojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre gjatë gjithë kohës që vuajnë dënimin. Sistemet e burgjeve duhet të jenë të sigurta, por gjithashtu duhet të baraspeshojnë respektimin e të drejtave të njeriut. Ky është synimi ynë dhe këtë do ta garantojmë deri në ditën e fundit që do të ushtrojmë këtë detyrë", u shpreh ministri.

burgu

Lini një Përgjigje