Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj një pyetjeje mbi restaurimin e Reflecting Pool pranë Memorialit të Linkolnit, ndërsa SHBA përballet me tensione ndërkombëtare dhe rritje të çmimeve të karburanteve.
Donald Trump u përplas me një gazetare të ABC News gjatë një vizite në Reflecting Pool pranë Memorialit të Abraham Linkolnit në Washington, ku po zhvillohen punime restaurimi.
Vizita e tij të enjten në zonën historike të National Mall nuk ishte paralajmëruar më herët. Projekti synon riparimin e rrjedhjeve, njollave dhe ndotjes në pellgun reflektues, në prag të aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Gjatë inspektimit të punimeve, Trump vlerësoi ekipin që po punon në restaurim dhe tha se projekti kushton rreth dy milionë dollarë. Gazetarja Rachel Scott e ABC News e pyeti nëse një investim i tillë ishte i përshtatshëm në një moment kur SHBA përballet me konfliktin në Iran dhe me rritjen e çmimeve të benzinës.
Trump ndërhyri menjëherë, duke thënë se restaurimi është i domosdoshëm për ruajtjen e sigurisë dhe pamjes së vendit. Ai argumentoi se zona ka nevojë për pastrim dhe e përshkroi Washingtonin si “të ndotur”.
View this post on Instagram
Sipas tij, pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë angazhuar në punë pastrimi që, siç tha ai, duhej të kryheshin nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare, institucion që sipas Trump ka pësuar shkurtime financiare. “Ju mund të mos e shihni papastërtinë, por unë e shoh”, iu drejtua ai gazetares.
Gjatë deklaratave, Trump përdori disa herë terma të pasaktë për Reflecting Pool, duke e quajtur “liqen” ose “park”, çka shtoi tensionin në komunikimin me median. Presidenti, e cilësoi pyetjen e gazetares si “budallaqe” dhe akuzoi ABC News për përhapje të “lajmeve të rreme”, duke thënë se pyetje të tilla “janë turp për vendin”.
Lini një Përgjigje