Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij po vepron për të dobësuar regjimin iranian, me synimin që t’i japë popullit iranian mundësinë ta rrëzojë atë.
Duke komentuar vrasjet e Ali Larijanit dhe komandantit të organizatës paraushtarake Basij, Gholamreza Soleimani, Netanyahu përdori gjuhë të ashpër ndaj strukturave të sigurisë iraniane. Ai e përshkroi Larijanin si “kreun e Gardës Revolucionare”, të cilën e cilësoi si një strukturë që “në praktikë qeveris Iranin”, ndërsa për komandantin e Basij tha se ishte pjesë e forcave që “përhapin frikë ndaj vetë popullsisë në Teheran dhe qytete të tjera”.
Netanyahu theksoi gjithashtu bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në Gjirin Persik. Ai bëri të ditur se kishte zhvilluar bisedë me presidentin amerikan Donald Trump një ditë më parë, duke nënvizuar koordinimin mes forcave ajrore dhe detare, si dhe në nivel politik.
“Ne po ndihmojmë miqtë tanë amerikanë në Gjirin Persik. Ekziston bashkëpunim mes forcave tona dhe administratës amerikane. Do të veprojmë si përmes presionit të tërthortë ndaj regjimit iranian, ashtu edhe me operacione të drejtpërdrejta”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Netanyahu la të kuptohet se Izraeli mund të ndërmarrë veprime të tjera strategjike në të ardhmen. Ai tha se vendi do ta zhvillojë konfliktin me “strategji të zgjuar”, pa zbuluar detaje, duke shtuar se “ka ende shumë surpriza përpara”.
Lini një Përgjigje