Origjina "e ndaluar" e Ko Yong-hui dhe propaganda mbi "linjën e gjakut të Paektus" kanë krijuar një regjim heshtjeje. Zbulimi i së vërtetës, sipas analistëve, do të kishte pasoja të krahasueshme me një "bombë bërthamore" për shoqërinë koreano-veriore.
Ai është njeriu që qeveris Korenë e Veriut me dorë të hekurt. Megjithatë, gjatë 15 viteve në pushtet, Kim Jong Un nuk ka folur asnjëherë publikisht për nënën e tij. Udhëheqësi koreano-verior shmang sistematikisht çdo referencë ndaj Ko Yong-hui, gruas që e solli në jetë, ndërsa edhe regjimi ndjek të njëjtën linjë të rreptë heshtjeje.
Sipas BBC-së, duke cituar analistë dhe ish-zyrtarë të Koresë së Veriut që kanë dezertuar, kjo fshehtësi nuk është rastësi. E vërteta mbi nënën e Kim Jong Unit mund të godiste në zemër propagandën mbi të cilën mbështetet dinastia Kim, pasi vë në pikëpyetje narrativën e "linjës së shenjtë të gjakut të malit Paektu", e cila përdoret për të legjitimuar trashëgiminë e pushtetit nga një brez te tjetri.
Miti i malit Paektu
Sipas traditës koreane, mali Paektu, në kufirin mes Koresë së Veriut dhe Kinës, është vendi ku lindi Dangun, themeluesi legjendar i mbretërisë së parë koreane.
Ky mal zë një vend të veçantë edhe në propagandën shtetërore të Phenianit. Themeluesi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung, thuhet se e përdorte zonën si bazë gjatë luftës kundër pushtimit japonez. Ndërsa djali i tij, Kim Jong Il, sipas versionit zyrtar, lindi në shpatet e malit Paektu, edhe pse studimet historike sugjerojnë se ai ka shumë gjasa të ketë lindur në Bashkimin Sovjetik.
Për dekada me radhë, ky rrëfim është përdorur për ta paraqitur familjen Kim si një dinasti "të shenjtë" dhe për të justifikuar trashëgiminë e pushtetit.
Ish-diplomati koreano-verior Ryu Hyun-woo, i cili ka dezertuar dhe e trajton këtë çështje në librin e tij, shkruan se Kim Jong Un u zgjodh pasardhës në fillim të të njëzetave, pa ndonjë arritje të veçantë personale, vetëm falë asaj që regjimi e quan "linja e gjakut e Paektus".
E vërteta mbi origjinën e nënës së tij
Origjina e Ko Yong-hui përbën një kundërshti serioze ndaj propagandës së regjimit.
Ajo besohet se ka lindur në vitin 1952 në Osaka të Japonisë. Prindërit e saj ishin me origjinë nga ishulli Jeju, në Korenë e Jugut të sotme, dhe i përkisnin komunitetit të njohur si koreanët Zainichi, pra koreanë që ishin vendosur në Japoni gjatë periudhës së kolonizimit japonez.
Kur ishte rreth dhjetë vjeçe, familja e saj u largua nga Japonia dhe u vendos në Korenë e Veriut, si pjesë e një programi të madh riatdhesimi që u zhvillua ndërmjet viteve 1959 dhe 1984.
Rreth 93 mijë koreanë u transferuan në atë periudhë në Korenë e Veriut, të bindur nga premtimet e regjimit për shërbim shëndetësor falas, arsim dhe punësim. Megjithëse fillimisht mbërritën me kursime, pajisje shtëpiake dhe mallra të sjella nga Japonia, shumë shpejt u trajtuan me mosbesim.
Ata u quajtën me përçmim "Jaepo", një term që nënkuptonte persona të ndikuar nga ideologji të huaja dhe potencialisht të rrezikshme.
Në sistemin e rreptë të klasifikimit shoqëror të Koresë së Veriut, të njohur si "Songbun", koreanët Zainichi klasifikoheshin në të ashtuquajturën "shtresë e lëkundur", larg elitës së qytetarëve politikisht të besueshëm. Ata ishin vazhdimisht nën mbikëqyrje shtetërore dhe shpesh përjashtoheshin nga universitetet, administrata shtetërore dhe pozicionet e rëndësishme.
Pikërisht për këtë arsye, origjina e nënës së liderit aktual konsiderohet jashtëzakonisht e ndjeshme.
"Linja e gjakut të Paektus konsiderohet e shenjtë. Prandaj, ideja që udhëheqësi i vendit është biri i një familjeje 'Jaepo' është e paimagjinueshme.", thotë Kim Hyung-soo, studiues në Northern Research Association.
Nga balerinë në zonjën e parë de facto
Pavarësisht prejardhjes së saj, Ko Yong-hui arriti të spikaste. Si anëtare e trupës artistike Mansudae, ajo u njoh me Kim Jong Il, i cili mbeti i impresionuar nga bukuria dhe aftësitë e saj si balerinë.
Edhe pse Kim Jong Il ishte tashmë i martuar me Kim Young-sook dhe kishte njëkohësisht marrëdhënie të tjera, ai krijoi një lidhje të ngushtë me Ko Yong-hui, me të cilën pati tre fëmijë.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre nuk u njoh kurrë zyrtarisht. Ko Yong-hui nuk u martua me Kim Jong Il, ndërsa themeluesi i shtetit, Kim Il Sung, nuk e pranoi asnjëherë si pjesë të familjes.
Sipas të njëjtave burime, Kim Il Sung nuk doli asnjëherë në fotografi publike me fëmijët e saj, një detaj me rëndësi të madhe në një regjim që përdor çdo imazh familjar për qëllime propagandistike.
Megjithatë, pas vdekjes së Kim Il Sung, Ko Yong-hui fitoi ndikim të konsiderueshëm pranë liderit të ri. Ajo e shoqëronte Kim Jong Il gjatë inspektimeve ushtarake dhe vizitave zyrtare, ndërsa, sipas ish-kuzhinierit personal të udhëheqësit, Kim Jong Il i kërkonte shpesh mendimin edhe përpara marrjes së vendimeve të rëndësishme politike.
Në vitin 2004 ajo ndërroi jetë nga kanceri i gjirit në një spital në Paris, pa u përmendur fare nga mediat shtetërore koreano-veriore.
Si u bë Kim Jong Un pasardhës
Ngjitja e Kim Jong Unit në pushtet nuk ishte e paracaktuar.
Bashkëshortja zyrtare e Kim Jong Il solli në jetë dy vajza, të cilat nuk u konsideruan kurrë kandidate për trashëgiminë e pushtetit.
Kim Jong Il kishte edhe dy partnere të tjera, përveç Ko Yong-hui: Sung Hye-rim dhe Kim Ok. Me Kim Ok nuk pati fëmijë. Për një periudhë u konsiderua se djali i tij i madh nga lidhja me Sung Hye-rim, Kim Jong Nam, mund të ishte pasardhësi.
Megjithatë, Kim Jong Nam humbi besimin e të atit. Ai kishte studiuar jashtë vendit, fliste rrjedhshëm anglisht dhe frëngjisht dhe thuhet se kundërshtonte trashëgiminë dinastike, duke mbështetur reforma në sistem.
Reputacioni i tij u dëmtua edhe nga stili luksoz i jetesës, udhëtimet e shpeshta jashtë vendit dhe vizitat në kazino.
Në vitin 2017 ai u vra në Malajzi me agjentin nervor VX, në një ngjarje që shkaktoi reagime ndërkombëtare.
Edhe vëllai më i madh i Kim Jong Unit, Kim Jong Chul, u përjashtua nga gara për pasardhës, pasi, sipas ish-diplomatit Ryu Hyun-woo, kishte probleme serioze me varësinë nga opiumi.
Në këto rrethana, Ko Yong-hui besohet se punoi në mënyrë sistematike për të promovuar djalin e saj të dytë, Kim Jong Un, si trashëgimtar të pushtetit.
Analistët vlerësojnë se Kim Jong Un e bindi të atin me karakterin e tij konkurrues dhe aftësitë drejtuese, çka bëri që ai të merrte pushtetin në vitin 2011, në moshën 27-vjeçare.
Pse vazhdon ende heshtja për nënën e tij
Edhe pse sot Kim Jong Un e ka konsoliduar plotësisht pushtetin, origjina e nënës së tij mbetet një temë tepër e ndjeshme.
Analistët besojnë se edhe fakti që ditëlindja e tij nuk është shpallur festë kombëtare, si ato të babait dhe gjyshit të tij, lidhet me përpjekjen e regjimit për të shmangur pyetjet rreth nënës së tij dhe viteve të para të jetës.
Në të kundërt, Kim Jong Un ka zgjedhur ta shfaqë publikisht bashkëshorten e tij, Ri Sol Ju, e cila, sipas shërbimeve të inteligjencës së Koresë së Jugut, vjen nga një familje e pasur e Phenianit dhe gëzon status të lartë në sistemin "Songbun".
Vitet e fundit, lideri koreano-verior është shfaqur shpesh edhe me vajzën e tij adoleshente, Ju Ae. Shumë analistë e interpretojnë këtë si një përpjekje për të forcuar imazhin e një trashëgimie familjare plotësisht legjitime.
Sipas ish-diplomatit Ryu Hyun-woo, nëse brenda Koresë së Veriut do të bëhej gjerësisht e njohur se nëna e Kim Jong Unit kishte lindur në Japoni dhe vinte nga një familje koreanësh Zainichi, goditja për regjimin do të ishte jashtëzakonisht e madhe.
Sipas tij, një zbulim i tillë nuk do të vinte në dyshim vetëm legjitimitetin e vetë Kim Jong Unit, por edhe të gjithë sistemin trashëgimor të pushtetit mbi të cilin është ndërtuar Koreja e Veriut për më shumë se 75 vjet.
"Do të kishte ndikimin e një bombe bërthamore në shoqërinë e Koresë së Veriut", shprehet ai./Përshtati "Pamfleti", nga "Protothema"
Lereni Kim se e ka ne terezi. Si ka sjelle ndonje gje te keqe botes. Shikoni kete Kim Jong Un tone ne Surrel! Ketij si tja bejme hallin!