![]()
Shpresa për të gjetur të mbijetuar mbetet e gjallë në Venezuelë, edhe pse kanë kaluar disa ditë nga tërmetet shkatërruese që goditën vendin. Në qytetin La Guaira, dhjetëra familjarë vazhdojnë të qëndrojnë pranë ndërtesave të shembura, duke pritur një mrekulli.
Një prej historive më prekëse është ajo e Andreina Valerios, e cila beson se djali i saj pothuajse dyvjeçar, Santiago, ndodhet ende nën rrënoja. Ajo rrëfen se vazhdon të dëgjojë të qarat e tij dhe nuk e ka humbur besimin se ai mund të shpëtohet.
Andreina ishte në punë kur ndodhën lëkundjet sizmike. Kur u kthye me nxitim në banesën ku ndodhej djali i saj, së bashku me partnerin Ramsés Mendoza dhe familjarë të tjerë, ndërtesa ishte shembur plotësisht.
"Unë ende kam besim se djali im është gjallë. Kam besim se është ai që dëgjoj duke qarë. E di që djali im do ta kalojë këtë, ashtu si edhe familja e tij", tha ajo.
Edhe të afërm të tjerë pretendojnë se kanë dëgjuar thirrje për ndihmë nga poshtë rrënojave. Samuel Mendoza tha se një ditë pas tërmetit dëgjoi zërin e një gruaje, ndërsa më vonë Andreina dëgjoi të qarat e një foshnjeje. Sipas tyre, në ndërtesë ndodhen ende disa persona të bllokuar, përfshirë edhe fëmijë.
Mes tyre janë edhe nëntëvjeçari Lucas dhe trevjeçarja Aranza, të cilët dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit nga El Salvadori dhe Spanja i janë bashkuar operacionit në La Guaira, por deri më tani nuk kanë arritur të depërtojnë në godinën e shembur apo të nxjerrin persona të gjallë.
Sipas autoriteteve venezueliane, vetëm në shtetin La Guaira janë shkatërruar më shumë se 1,400 ndërtesa. Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve, ndërsa banorët dhe vullnetarët vazhdojnë të gërmojnë mes rrënojave me shpresën për të shpëtuar të afërmit e tyre.
Lini një Përgjigje