TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Qershor 2026, 13:28

Deklaratat e Ramës për "The Albanian Files", Berisha: Eurojust dhe Europol të hetojnë 523 projektet e sulltanit

Shkruar nga Pamfleti

Deklaratat e Ramës për "The Albanian Files", Berisha:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në podcastin "Flasim", ku u diskutua libri "The Albanian Files".

Në një video-mesazh, Berisha akuzoi Ramën se po përdor emrat e arkitektëve dhe studiove të njohura ndërkombëtare për të mbrojtur, sipas tij, atë që opozita e konsideron grabitje të pasurive publike dhe private në Shqipëri.

Sipas tij, libri nuk është një dëshmi e suksesit të qeverisë, por një pasqyrim i mënyrës se si Rama e ka trajtuar vendin gjatë viteve të qeverisjes.

"E vërteta është se ai flet për inkuizicion për protestën dhe intelektualët që kanë shkruar, por në realitet ai libër dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër Edi Ramën si një sulltan të një sulltanati të shekujve më parë, në të cilin vendi është tërësisht pronë personale e tij. Ky libër dëshmon edhe njëherë mungesën e plotë të transparencës dhe se Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pashallëk apo një bajrak të tij", tha Berisha.

Kreu i demokratëve u ndal edhe te projektet e përfshira në libër, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e financimit të tyre dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare.

"Ka dy momente shumë të rëndësishme. Së pari, ato 523 projekte të paktën duhet të jenë paguar me miliarda euro për hartimin e tyre. Kush i ka paguar këto projekte? Cili është burimi i parave të këtyre projekteve? Ftoj Eurojust-in, Interpol-in dhe Europol-in të hetojnë fillimisht burimin e pagesave në këto studio", shtoi ai.

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin për konflikt interesi, duke pretenduar se ai ka përfitime familjare në zonën e Gjipesë.

"Së dyti, Edi Rama në atë libër ka interesa familjare, ka plaçkitur në kundërshtim me të gjitha ligjet kanionin e Gjipesë dhe ka vendosur aty hotelin e fildishtë, e qelqtë mbi kanion. Përveç saj edhe në troje të tjera. Ndaj edhe reagimi i publikut, reagimi i protestës ndaj librit ishte një reagim dinjitoz, i merituar plotësisht", deklaroi kreu i PD.

Lini një Përgjigje