Ai u shpreh se, si veteran me 11 misione lufte dhe si bashkëshort i një ushtarakeje të rënë në detyrë, nuk mund të mbështesë dërgimin e një brezi tjetër amerikanësh në një luftë që, sipas tij, “nuk i shërben interesave të popullit amerikan dhe nuk e justifikon koston në jetë njerëzish”...
Kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në Shtetet e Bashkuara, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen për shkak të luftës në Iran, duke mbajtur qëndrim të hapur kundër përfshirjes amerikane në konflikt.
Në një postim publik, Kent shkroi se nuk mund të mbështesë “me ndërgjegje të pastër” luftën e vazhdueshme në Iran. Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Irani “nuk përbënte një rrezik të menjëhershëm” për SHBA-në dhe se vendi u shty drejt konfliktit “nga presioni i Izraelit dhe i lobit të tij të fuqishëm në Amerikë”.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar Donald Trumpit, Kent tha se vazhdon të mbështesë vlerat dhe qasjen në politikën e jashtme me të cilat Trump u zgjodh në vitet 2016, 2020 dhe 2024, si edhe linjën që, sipas tij, u ndoq gjatë mandatit të parë presidencial.
Ai theksoi se deri në qershor 2025, Trump e kishte kuptuar se luftërat në Lindjen e Mesme përbëjnë një kurth që i kushton Amerikës jetë njerëzish dhe dëmton pasurinë dhe mirëqenien e vendit.
Kent e mbështeti qëndrimin e tij edhe në përvojën personale. Ai u shpreh se, si veteran me 11 misione lufte dhe si bashkëshort i një ushtarakeje të rënë në detyrë, nuk mund të mbështesë dërgimin e një brezi tjetër amerikanësh në një luftë që, sipas tij, “nuk i shërben interesave të popullit amerikan dhe nuk e justifikon koston në jetë njerëzish”.
Në fund të letrës, ai i kërkoi Trumpit të rishqyrtojë kursin e ndjekur ndaj Iranit. “Lutem të mendoni se çfarë po bëjmë në Iran dhe për kë po e bëjmë. Koha për veprim të guximshëm është tani”, shkroi Kent, duke shtuar se presidenti mund të ndryshojë drejtimin ose të lejojë që vendi të rrëshqasë më tej drejt rënies dhe kaosit.
Letra e plotë e dorëheqjes
Nga: Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit
"Presidenti Trump,
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen nga pozicioni im si drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, me efekt të menjëhershëm.
Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, ta mbështes luftën e vazhdueshme kundër Iranit. Irani nuk përbënte asnjë kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë dhe është e qartë se ne e filluam këtë luftë nën presionin e Izraelit dhe lobit të tij të fuqishëm amerikan.
Unë mbështes vlerat dhe politikat e jashtme që ju mbështetët në fushatat tuaja të viteve 2016, 2020 dhe 2024, dhe të cilat i zbatuat gjatë mandatit tuaj të parë. Deri në qershor të vitit 2025, ju e kuptuat se luftërat në Lindjen e Mesme ishin një kurth që po i vidhte Amerikës jetë të çmuara patriotike dhe po minonte pasurinë dhe prosperitetin e kombit tonë.
Gjatë mandatit tuaj të parë, ju e kuptuat, më mirë se çdo president modern, si ta përdornim fuqinë tonë ushtarake me vendosmëri, pa na tërhequr në luftëra të pafundme . Ju e demonstruat këtë duke eliminuar Qassem Soleimani dhe duke mposhtur organizatën e Shtetit Islamik.
Në fillim të kësaj administrate, zyrtarë të lartë izraelitë dhe anëtarë të fuqishëm të medias amerikane zhvilluan një fushatë dezinformimi që minoi plotësisht axhendën tuaj "Amerika e Para" dhe nxiti ndjenja luftënxitëse për të inkurajuar konfliktin me Iranin. Kjo jehonë u përdor për t'ju mashtruar që të besoni se Irani përbënte një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara dhe se duke e goditur atë drejtpërdrejt, kishte një rrugë të qartë drejt një fitoreje të shpejtë. Kjo ishte një gënjeshtër dhe është e njëjta taktikë që izraelitët përdorën për të na tërhequr në luftën katastrofike në Irak, e cila i kushtoi kombit tonë jetën e mijëra burrave dhe grave tona më të mira. Nuk mund ta bëjmë përsëri atë gabim.
Si veteran që është dërguar në luftime njëmbëdhjetë herë dhe si bashkëshort fitues i Yllit të Artë që humbi gruan time të dashur Shannon në një luftë që provokoi Izraeli, nuk mund ta mbështes dërgimin e brezit të ardhshëm në luftime, për të vdekur në një luftë që nuk i sjell dobi popullit amerikan në asnjë mënyrë dhe nuk justifikon koston e jetëve amerikane.
Lutem që të merrni në konsideratë atë që po bëjmë në Iran dhe për kë po e bëjmë. Koha për veprime të guximshme është tani. Mund të ndryshoni kursin dhe të hartoni një kurs të ri për kombin tonë , ose mund të na lejoni të zhytemi më thellë në rënie dhe kaos. Pushteti është në duart tuaja.
Ka qenë një nder të shërbej në qeverinë tuaj dhe t'i shërbej kombit tonë të madh.
Joseph Kent,
Drejtor, Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit
Arsyeja e argumentuar e dorëheqjes e shefit amerikan të anti-terrorizmit, një nga profesionistët më të aftë në këtë vend, është goditja më e rëndë për administratën e presidentit Trump gjatë gjithë qeverisjes së administratës së dytë. Ai ka shprehur publikisht atë që thuhet gjithandej nën zë këtu në ShBA dhe pavarësisht trysnisë ndaj mjeteve të informimit, qytetarët vlerësojnë ashtu siç duhet.