I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, gjatë takimit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, konfirmoi sot se SHBA-të kanë negociuar me Iranin përmes kanaleve diplomatike me Pakistanin. Ai shtoi se Pakistani po vepron si ndërmjetësues në këtë fazë.
“Mund t’ju raportoj sot se ne, së bashku me ekipin tuaj të politikës së jashtme, kemi paraqitur një listë veprimesh me 15 pika që formon kornizën për një marrëveshje paqeje. Kjo është qarkulluar përmes qeverisë pakistaneze që vepron si ndërmjetësuese”, i tha Witkoff presidentit Trump.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, konfirmoi gjithashtu se vendi i tij po shërben si ndërmjetës, duke shkruar në mediat sociale se plani 15-pikësh po shqyrtohet nga Irani. Witkoff tha se korniza, deri më tani, “ka rezultuar në mesazhe dhe bisedime të forta dhe pozitive”, megjithëse ai nuk pranoi të jepte detaje mbi kushtet specifike, duke përmendur ndjeshmërinë e diskutimeve diplomatike.
Ky raportim i Witkoff vjen ndërsa zyrtarët e administratës Trump, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, po punojnë për të organizuar një takim në Pakistan këtë fundjavë për të diskutuar një dalje nga lufta në Iran.
Witkoff tha sot se zyrtarët iranianë këmbëngulën se kishin të drejtë të pasuronin uranium gjatë negociatave të mbajtura para luftës, duke i bërë zyrtarët amerikanë të arrinin në përfundimin se nuk ishin të gatshëm të braktisnin ambiciet e tyre bërthamore.
“Gjatë takimeve tona me iranianët, dëgjuam prej tyre fjalët e mëposhtme: ‘Iranianët kanë të drejtën e patjetërsueshme për t’u pasuruar’. Pastaj dëgjuam se ata zotëronin material të pasuruar 60%, 460 kilogramë, për të bërë 11 bomba atomike. Këto janë shenja të pakundërshtueshme, ndër shumë shenja të tjera, se regjimi i tyre nuk i kishte dhënë ekipit negociator autoritetin për të bërë një marrëveshje të kërkuar nga ju”, tha Witkoff më tej gjatë takimit.
Lini një Përgjigje