Presidenti amerikan kritikoi përsëri rolin ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar në Lindjen e Mesme dhe shprehu zhgënjim edhe ndaj aleatëve të NATO-s, sipas Reuters.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kritikuar sërish Mbretërinë e Bashkuar për qasjen e saj ndaj angazhimeve ushtarake në Lindjen e Mesme, duke përdorur tone të ashpra edhe ndaj kapaciteteve detare britanike.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump iu referua një sulmi me raketa balistike të Iranit ndaj bazës ushtarake të përbashkët britaniko-amerikane në Diego Garcia. Ai tha se Teherani lëshoi “një raketë me rreze 2,500 milje”, duke shtuar se, sipas pretendimit të tij, Irani nuk besohej se zotëronte një raketë të tillë.
Trump deklaroi se ishulli “tani i famshëm” Diego Garcia nuk iu vu në dispozicion SHBA-së pa hezitim nga Mbretëria e Bashkuar, sepse, sipas tij, Londra nuk dëshironte të përfshihej. Ai shtoi se edhe Uashingtoni nuk dëshiron të përfshihet në “luftërat e tyre”.
Presidenti amerikan përsëriti edhe kritikat e tij të mëparshme ndaj NATO-s, duke thënë se është “shumë i zhgënjyer” me aleancën. Sipas tij, disa vende kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë vetëm pasi të ketë përfunduar lufta, ndërsa ai argumentoi se angazhimi duhet të nisë që në fillim të konfliktit ose edhe më herët.
Duke iu drejtuar posaçërisht Mbretërisë së Bashkuar, Trump tha se Londra i kishte bërë të ditur SHBA-së, rreth tre javë më parë, se do të dërgonte aeroplanmbajtëset e saj. Më pas ai shtoi se ato “nuk janë aeroplanmbajtëset më të mira” dhe i cilësoi si “lodra” në krahasim me anijet amerikane.
“Mbretëria e Bashkuar na tha, kjo ndodhi tre javë më parë, se do të dërgojë aeroplanmbajtëset e saj, të cilat, meqë ra fjala, nuk janë më të mirat. Ato janë lodra në krahasim me ato që kemi ne.”-tha Trump.
Lini një Përgjigje