TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Mars 2026, 13:10

Dronët godasin Irakun, baza amerikane sërish në shënjestër

Shkruar nga Pamfleti

Dronët godasin Irakun, baza amerikane sërish në

Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron ndaj një baze amerikane në Irakun verior.

Sipas "Sky News", sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit në bazën ajrore në Erbil, në rajonin autonom të Kurdistanit. Sipas të dhënave, viktima dhe të plagosurit janë kontraktorë të huaj dhe nuk janë shtetas amerikanë.

Baza e Erbilit, ku janë të vendosura forcat amerikane, ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura që prej përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit.

Sipas raportimeve, qindra raketa dhe dronë janë lëshuar drejt kësaj baze nga Irani dhe grupet e lidhura me të, ndërsa edhe instalacione të tjera ushtarake në rajon janë vënë në shënjestër.

Vetëm dy ditë më parë, një tjetër sulm me raketa balistike i atribuar Iranit goditi një bazë të forcave kurde të sigurisë, duke shkaktuar gjashtë viktima dhe rreth 30 të plagosur.

Ndërkohë, më 12 mars, një dron goditi një bazë jashtë Erbilit ku ishin të vendosur trupa franceze, duke shkaktuar vdekjen e një ushtari dhe plagosjen e shtatë të tjerëve. Për këtë sulm u fajësuan grupe milicie të lidhura me Iranin.

Lini një Përgjigje