Zyrtarët e administratës Trump po shqyrtojnë ndikimin që do të kishte në ekonomi një rritje e mundshme e çmimit të naftës deri në 200 dollarë për fuçi, raportoi Bloomberg duke cituar burime të njohura me çështjen.
Ky vlerësim shihet si një tregues se në nivelet më të larta po analizohen skenarë të ndryshëm që lidhen me pasojat e mundshme të tensioneve dhe konfliktit me Iranin.
Burimet sqarojnë se këto analiza janë pjesë e vlerësimeve rutinë që bëhen në periudha pasigurie dhe nuk përbëjnë një parashikim konkret. Qëllimi është që qeveria të jetë e përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm, përfshirë edhe një konflikt të zgjatur.
Edhe para përshkallëzimit të situatës, Sekretari i Thesarit, Scott Besant, kishte ngritur shqetësime për ndikimin që mund të kishin çmimet më të larta të naftës në rritjen ekonomike. Zyrtarë të tjerë të lartë kanë informuar Shtëpinë e Bardhë për luhatjet e fundit në çmimet e naftës dhe karburanteve.
Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Khush Desai, i cilësoi këto raportime si “të pasakta”, duke theksuar se megjithëse analizohen skenarë të ndryshëm, nuk ka vlerësime që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi. Ai shtoi gjithashtu se Sekretari Besant nuk ka shprehur shqetësime për ndërprerje afatshkurtra të lidhura me operacionin “Epic Fury”.
Sipas tij, Besant ka shprehur vazhdimisht besim në ecurinë afatgjatë të ekonomisë amerikane dhe në stabilitetin e tregjeve globale të energjisë.
Ndërkohë, çmimet e naftës kanë shënuar rritje që prej sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Nafta amerikane West Texas Intermediate është rritur me rreth 30%, duke arritur në 91 dollarë për fuçi, ndërsa Brent është rritur me afro 40%, duke u tregtuar rreth 102 dollarë për fuçi.

Lini një Përgjigje