
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka shkaktuar ndikim të drejtpërdrejtë në aviacionin global, duke sjellë ndërprerje të shumta fluturimesh dhe pasoja për mijëra pasagjerë në mbarë botën.
Në fazat e para të krizës, fluturimet u pezulluan në disa nga hapësirat ajrore më të ngarkuara, duke detyruar avionët të qëndrojnë në tokë dhe duke lënë pasagjerë të bllokuar në aeroporte të ndryshme.
Situata u përkeqësua më tej pas goditjes së furnizimit me karburant, si pasojë e mbylljes së ngushticës së Hormuzit nga Irani. Ky zhvillim çoi në rritje të ndjeshme të çmimeve të karburantit dhe detyroi një pjesë të linjave ajrore të reduktojnë frekuencën e fluturimeve.
Aktualisht, situata paraqitet pjesërisht e stabilizuar. Sipas BBC, kompani të mëdha si Emirates, Etihad dhe Qatar Airways kanë rifilluar operimet me fluturime të rregullta, megjithëse oraret mbeten të kufizuara dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve.
Të dhënat nga kompania analitike Cirium tregojnë se mbi 30 mijë fluturime në Lindjen e Mesme janë anuluar që nga nisja e konfliktit.
Aeroportet e Gjirit, si Dubai, Abu Dhabi dhe Doha, të cilat shërbejnë si nyje kryesore për udhëtime ndërkontinentale, janë veçanërisht të prekura. Shumica e pasagjerëve që kalojnë në këto aeroporte janë në tranzit, duke lidhur Europën dhe Amerikën me destinacione në Azi dhe Australi përmes një ndalese të vetme.
Ekspertët paralajmërojnë se situata aktuale mund të dëmtojë reputacionin e këtyre qendrave ajrore, duke sjellë rënie të trafikut dhe rritje të çmimeve të biletave. Në afat të shkurtër, pasagjerët mund të orientohen drejt alternativave si Singapori, Bangkoku apo Tokio.
Megjithatë, edhe nëse tregu i aviacionit në Gjirin Persik arrin të rimëkëmbet, ndikimi në turizëm dhe biznes pritet të jetë i ndjeshëm. BBC raporton se rikthimi në normalitet mund të kërkojë disa vite.
Lini një Përgjigje