TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Shkurt 2026, 20:58

Në Mynih duhet të shpallet ”Evropa+”, aleanca e re rivale ndaj SHBA-së dhe Rusisë!

Shkruar nga Kurt Bassuener & Valery Perry

Në Mynih duhet të shpallet ”Evropa+”, aleanca e re rivale

Përballë pasigurisë që vjen nga Uashingtoni dhe agresionit hibrid të Moskës, koalicioni i ri “Evropa+”, do jetë mburoja e nevojshme për sovranitetin demokratik. Ky projekt kërkon një koordinim të paprecedentë ushtarak dhe ekonomik, duke nisur nga zgjidhja e sfidave gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor…

Ndërsa udhëheqësit globalë dhe establishmenti i sigurisë dhe i punëve të jashtme përgatiten të mblidhen këtë të premte në Konferencën e Sigurisë në Mynih, “çarja” e krijuar nga administrata Trump ndaj rendit ndërkombëtar - të cilën ekonomisti Mark Carney e diagnostikoi muajin e kaluar në Davos - është bërë tashmë një realitet i pamohueshëm.

Por, ndërsa Bashkimi Evropian po ndërmerr masa mbrojtëse dhe diversifikuese, mungon ende një perspektivë strategjike, për të mos folur për një sërë politikash koherente. Megjithatë, disa gjëra tashmë janë të qarta.

Duhet krijuar sa më parë aleanca e re “Evropa+” (ku përfshihen Britania, Norvegjia dhe Kanadaja). Politikat nuk janë ende në përputhje me realitetin në terren, dhe këtë e theksoi posaçërisht në Davos presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nën administratën aktuale, SHBA-ja përbën një kërcënim të madh për demokracitë në “Evropa+”, si dhe për ato përtej Atlantikut si Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani, Australia dhe Zelanda e Re.

“Ndikimi i huaj dashakeq” nuk është vetëm dezinformimi rus, sabotimi dhe mbështetja për lëvizjet antidemokratike të ekstremit të djathtë, por tani ai vjen edhe nga kupola drejtuese në SHBA.

Administrata Trump e di se mund të ushtrojë kontroll më të madh shtrëngues mbi aleatët e saj, duke ruajtur paqartësi mbi angazhimet e sigurisë me qëllim fitimin e lëshimeve të mëtejshme.

Sfera e teknologjisë, ku BE-ja ka filluar të ushtrojë kontroll më të madh sovran, po përdoret hapur si “shkop” nga SHBA-ja në marrëdhëniet e saj me Evropën. Prandaj, kjo është një dobësi që kërkon përpjekje urgjente kolektive.

Vetë BE-ja është gjithçka, përveçse jo një “fuqi e mesme”. Ajo është një superfuqi ekonomike, pesha politike, ushtarake dhe rregullatore e së cilës mbetet ende e pakoordinuar.

Çfarë është Evropa+?

Evropa+ mund të synojë të jetë një aleancë e fuqive të mesme. Vlerat e shpallura të BE-së - demokracia, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut - kanë rezonancë të gjerë dhe ndahen jo vetëm me vendet e Atlantikut të Veriut, por edhe me shtete në Amerikën Latine dhe Afrikë.

Ky grup i vendeve demokratike, që e gjejnë veten “në menunë” e fuqive hegjemonike, mund të përbëjë një lloj të ri grupi të paangazhuar që ruan normat ndërkombëtare. Përpjekjet për të dekarbonizuar ekonomitë dhe për ta bërë prodhimin e energjisë më rezistent ndaj goditjeve (siç shihet me krimet ruse të luftës kundër infrastrukturës në Ukrainë) janë shërbim ndaj sovranitetit.

Moska dhe Uashingtoni, dy kërcënime ekzistenciale

Për Evropën, Rusia dhe SHBA-ja janë kërcënimet hegjemonike më ekzistenciale dhe më të afërta. Po ashtu, duhet të merren urgjentisht në konsideratë mekanizmat e rinj të financimit, duke përfshirë “Obligacionet Evropiane të Mbrojtjes”.

Bashkimi Evropian nuk është thjesht një “prapavijë”, por një objektiv i drejtpërdrejtë për sabotimin rus. Deri më sot, vetëm presidenti Zelensky ka folur për krijimin e një zone mbrojtëse për të gjithë Evropën. Kjo çështje meriton diskutim serioz këtë fundjavë. Askund ndikimi i “Evropa+” nuk është aq i fortë sa në zonën e zgjerimit të saj.

Testi i lakmusit në Ballkanin Perëndimor

Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja mund të jetë vendimtare kundër hegjemonëve. Një qasje e përqendruar vetëm te zgjerimi ka dështuar për 20 vjet, duke rrezatuar dobësi. Evropa+ sfidohet drejtpërdrejt në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi.

Në Bosnjë, BE-ja i ka “letrat në dorë” kundër përçarësve, gjithnjë nëse zgjedh që

T’i përdorë ato. Në Serbi, Brukseli nuk e ka ndryshuar ende politikën e saj akomoduese ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiç, gjë që dëmton besueshmërinë e saj rajonale.

Së fundmi, kërcënimi për demokracinë evropiane nuk vjen vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Kjo përfshin udhëheqësit autoritarë brenda shteteve anëtare dhe atë pjesë të qytetarëve që kërkojnë t’i vendosin ata në krye.

Migracioni mbetet çështja më përçarëse. Një strategji kolektive demokratike u paralajmërua që në Davos. Tani në Mynih, ajo duhet të marrë formën e saj të plotë./ Përshtati "Pamfleti", nga "EU Observer”

europa

1 Komente

    Lini një Përgjigje