Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi nevojën për veprim të menjëhershëm dhe të qartë nga Bashkimi Evropian, duke deklaruar se ekziston një “ndjenjë urgjence” përballë sfidave aktuale.
Duke folur në një deklaratë për shtyp në Kështjellën Alden Biesen, krah kancelarit gjerman Friedrich Merz, pas një takimi përgatitor para samitit të liderëve të BE-së, Macron nënvizoi se prioriteti është reagimi në afat shumë të shkurtër.
“Ndajmë një ndjenjë urgjence: Evropa duhet të veprojë me qartësi”, u shpreh ai. Sipas presidentit francez, hapi i parë është zbatimi i menjëhershëm i masave për të cilat ekziston dakordësi mes shteteve anëtare. “Duhet të ecim shpejt dhe të kemi vendime shumë konkrete deri në qershor”, shtoi ai.
Macron theksoi gjithashtu se nëse nuk arrihet përparim me të 27 vendet anëtare, duhet të shfrytëzohen mekanizmat e bashkëpunimit të përforcuar, që lejojnë një grup shtetesh të avancojnë më shpejt në fusha të caktuara.
Deklaratat vijnë në një moment kur BE-ja përballet me presione të shumta, nga siguria dhe mbrojtja, te konkurrueshmëria ekonomike dhe sfidat gjeopolitike. Parisi dhe Berlini synojnë të shtyjnë përpara një agjendë më të koordinuar dhe më efektive, me theks te vendimmarrja e shpejtë dhe zbatimi praktik i angazhimeve të përbashkëta.
Lini një Përgjigje