TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Shkurt 2026, 17:15

TikTok dhe SHBA rrëzojnë tezën për ndërhyrje ruse në zgjedhjet rumune

Shkruar nga Pamfleti
TikTok dhe SHBA rrëzojnë tezën për ndërhyrje ruse
Călin Georgescu

Në nëntor 2024, Rumania u përball me një nga tronditjet më të papritura politike në Evropë. Kandidati i pavarur me prirje nacionaliste dhe euroskeptike, Călin Georgescu, i akuzuar për qëndrime proruse, mori mbi 22% në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke kaluar në balotazh përballë pro-evropianes Elena Lasconi dhe duke lënë pas figura të rëndësishme si ish-kryeministri Marcel Ciolacu.

Dy ditë para raundit të dytë, në dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese anuloi të gjithë procesin zgjedhor, duke u mbështetur në dokumente të deklasifikuara që flisnin për ndërhyrje të mundshme ruse përmes sulmeve kibernetike dhe mobilizimit të rreth 25 mijë llogarive në TikTok në favor të Georgescut. Narrativa për “ndërhyrje ruse” u përhap gjerësisht në mediat perëndimore dhe u përqafua nga BE-ja, e cila hapi edhe një hetim ndaj TikTok.

Megjithatë, me kalimin e muajve, dolën në pah dyshime mbi provat. Vetë TikTok deklaroi se nuk kishte gjetur prova për manipulime të lidhura me Moskën, ndërsa një raport i fundit i Komitetit Gjyqësor të Kongresit amerikan theksoi se nuk ekzistojnë prova për ndërhyrje ruse, duke vënë në pikëpyetje arsyetimin fillestar të anulimit.

Ndërkohë, Georgescu u përball me hetime të reja, jo për ndërhyrje ruse, por për akuza lidhur me propagandë me referenca ekstremiste. Procesi gjyqësor u zvarrit për shkak të mosmarrëveshjeve mes gjyqtarëve dhe nisi vetëm pas ndërhyrjes së një trupi të tretë gjykues. Në mars 2025, Gjykata refuzoi sërish kandidimin e tij, duke u mbështetur në arsyetimet e mëparshme.

Po atë muaj, autoritetet ndaluan edhe një tjetër figurë nacionaliste, Diana Șoșoacă, të kandidonte, me arsyetimin se deklaratat e saj binin ndesh me vlerat demokratike. Vendimi nxiti debat mbi kufijtë e pluralizmit politik në vend.

Pas qëndrimeve të TikTok dhe raportit të Kongresit amerikan, çështja Georgescu paraqitet ndryshe nga narrativa fillestare. Pretendimet për ndërhyrje ruse mbeten të paprovuara, ndërsa zhvillimet ligjore dhe përjashtimi i kandidatëve opozitarë ndikuan ndjeshëm në garën politike, duke favorizuar figura të pranueshme për kampin euro-atlantik.

 

călin georgescu rumani zgjedhje

Lini një Përgjigje