TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Shkurt 2026, 17:54

‘Sekreti’ i vizitës së Dodikut në Uashington: Rinegocimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit

Shkruar nga Pamfleti
‘Sekreti’ i vizitës së Dodikut në Uashington:
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik dhe zëdhënsja e presidentit Donald Trump, Caroline Leavitt

Gjashtë muaj më parë, Milorad Dodik, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, ishte nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni e akuzonte për korrupsion dhe për nxitje të separatizmit që, sipas autoriteteve amerikane, rrezikonte të ringjallte konfliktin etnik në Ballkan.

Të premten, ai ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me zëdhënësen e presidentit Donald Trump, Caroline Leavitt, e cila realizoi një fotografi me Dodik dhe zyrtarë të tjerë të lartë të serbëve të Bosnjës.

Në një intervistë të rrallë për media ndërkombëtare, Dodik i tha Financial Times se ka “pritshmëri të larta” nga Trump dhe se është inkurajuar nga kritikat e presidentit amerikan ndaj përpjekjeve të mëparshme të SHBA-së për ndërtim shtetesh jashtë vendit.

Kur ai thotë ‘America First’, kjo na inkurajon ne të themi ‘Republika Srpska First’”, deklaroi Dodik, duke theksuar përparësinë që i jep pavarësisë së entitetit me shumicë serbe, të cilin e ka drejtuar për më shumë se dy dekada, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president.

“Jemi këtu për të kërkuar mbështetje për të përcaktuar statusin tonë”, shtoi ai.

Administrata Trump hoqi sanksionet ndaj Dodikut dhe dhjetëra bashkëpunëtorëve e të afërmve të tij në tetor, pasi ai pranoi të zbatonte një vendim të gjykatës së Bosnjës për t’u dorëhequr nga posti i presidentit të Republikës Srpska.

Ky vendim, që ndryshoi politikën e deritanishme amerikane në rajon, u interpretua si një përpjekje e guximshme, por me rrezik, për ta neutralizuar Dodikun, refuzimi i të cilit për t’u larguar nga posti kishte futur Bosnjën në një krizë të thellë politike.

Megjithatë, vizita e tij në Uashington sugjeron se ai nuk ka ndërmend të tërhiqet nga politika apo të heqë dorë nga thirrjet për shkëputje, të cilat, sipas kritikëve, rrezikojnë stabilitetin e shtetit shumetnik, ku mbi 100 mijë boshnjakë u vranë gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Dy zyrtare të tjera të pranishme në intervistë, Željka Cvijanović, një nga tre bashkëpresidentet e Bosnjës, dhe Ana Trišić-Babić, ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës Srpska, mbetën në hije përballë rolit dominues të Dodikut.

Duke folur përmes një përkthyesi, Dodik e cilësoi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit si të pazbatueshme në formën aktuale dhe sulmoi Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes, duke pretenduar se ai “nuk ka legjitimitet” në Bosnjë.

Ai u përpoq ta paraqesë komunitetin serb si të krishterë të kërcënuar dhe argumentoi se marrëveshja për ndarjen e pushtetit mes tre grupeve kryesore etnike, serbëve ortodoksë, kroatëve katolikë dhe boshnjakëve myslimanë, nënkupton se vendi drejtohet nga një “qeveri myslimane”.

Një broshurë e shpërndarë nga delegacioni titullohej “Përplasja e qytetërimeve në Bosnjë dhe Hercegovinë”, duke iu referuar tezës së Samuel Huntington se konfliktet pas Luftës së Ftohtë do të nxiteshin nga ndarje kulturore dhe fetare.

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, demokratja kryesore në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, kundërshtoi heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe kërkoi rikthimin e tyre të menjëhershëm.

“Dodik ka përdorur retorikë separatiste dhe ka minuar integritetin e Marrëveshjes së Dejtonit, çka bie ndesh me arsyetimin e administratës për ta hequr atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga lista e sanksioneve në fund të vitit të kaluar”, deklaroi Shaheen.

Michael Murphy, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Bosnjë deri vitin e kaluar, tha se Dodik “ndihet më i inkurajuar”.

Ai e interpreton vendimin e administratës për heqjen e sanksioneve si një vërtetim të botëkuptimit të tij”, u shpreh Murphy.

Sipas tij, qëndrimi i administratës ndaj Dodikut “u jep mbështetje nacionalistëve etnikë në të gjithë rajonin”. Gjatë vitit të kaluar, Republika Srpska ka nënshkruar kontrata me vlerë qindra mijëra dollarë me lobistë të afërt me administratën Trump. Ata kanë synuar ta paraqesin liderin serb të Bosnjës si një figurë të ngjashme me Trumpin në Ballkan, një provokator i ndjekur penalisht për arsye që, sipas tyre, janë të motivuara politikisht.

Dodik u pajtua me këtë përshkrim, duke argumentuar se Trump dhe Republika Srpska kanë “problem me të njëjtët njerëz: elitën liberale globaliste, që po shkatërron Evropën tani”.

Delegacioni i serbëve të Bosnjës ndodhej javën e kaluar në Uashington për Mëngjesin Kombëtar të Lutjes. Aktiviteti vjetor, ku mori pjesë edhe Donald Trump, mbledh mijëra përfaqësues nga elitat politike dhe të biznesit në SHBA dhe në mbarë botën.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës për koment lidhur me vizitën e Dodikut në Uashington.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se takimi i Leavitt me Dodikun u zhvillua me kërkesë të delegacionit.

“Përshëndetja zgjati rreth 10 minuta dhe ata shkëmbyen fjalë mirësjelljeje”, tha ai.

Vizita e zyrtarëve të Republikës Srpska në Uashington u zhvillua disa ditë përpara përsëritjes së pjesshme të zgjedhjeve presidenciale në entitet, të mbajtura të dielën, pasi votimi i nëntorit u shoqërua me parregullsi.

Pavarësisht se nuk mund të kandidojë, Dodik vazhdon të mbajë kontrollin”, deklaroi Adnan Cerimagic, analist i lartë në Iniciativën Evropiane për Stabilitet.

Gjatë kohës në pushtet, Dodik ka kultivuar marrëdhënie të afërta me presidentin rus Vladimir Putin dhe me aleatë të tjerë rajonalë të tij, veçanërisht me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, i cili i ofroi mbështetje Dodikut kur gjykata boshnjake vendosi që ai të jepte dorëheqjen.

Sipas Cerimagic, Dodik synon ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të rinegociojë Marrëveshjen e Dejtonit.

“Nëse administrata amerikane është e hapur ndaj kësaj, ai do t’i kthejë në miqtë e tij më të mirë”, tha Cerimagic, duke shtuar se Putini dhe Hungaria tashmë janë në atë pozicion./TheGeopost

dodik leavitt

Lini një Përgjigje