Trump dhe regjimi iranian përballen mes kërcënimeve ushtarake dhe sinjaleve të paqarta për negociata
Diplomacia ka dalë në skenë në luftën me Iranin dhe të dyja palët kanë arsyet e tyre. Ndërsa Shtetet e Bashkuara peshojnë kohën dhe rrezikun për të rihapur me forcë Ngushticën e Hormuzit, regjimi iranian duhet të vlerësojë nëse mund të rrezikojë humbjen e këtij avantazh dhe të përballojë sulme për aq kohë sa veprimi në Hormuz mund ta zgjasë luftën.
Të hënën, Presidenti Trump shtyu kërcënimin e tij për të shkatërruar centralet energjetike të Iranit, pas asaj që ai e quajti “biseda produktive” dhe “pika të rëndësishme dakordësie” me Iranin. Regjimi iranian mohoi se kishte ndodhur ndonjë bisedë. Kjo është mjegulla e diplomacisë në këtë luftë të stilit Trump dhe raportimet tregojnë për shkëmbime paraprake mesazhesh përmes Pakistanit, Turqisë dhe Egjiptit.
Interesi i Trump është të qetësojë tregjet me lajme për përparim diplomatik. Interesi i regjimit është të mohojë gjithçka dhe të mbajë tregjet në pasiguri. Në këtë kuptim, Trump fitoi këtë përballje, duke shkaktuar një rënie të fortë të çmimit të naftës të hënën. Kjo është mënyra e tij e veprimit, ofron lehtësim në fillim të javës tregtare, dhe sjell presion në fund të saj. Afati i ri për të shmangur përshkallëzimin është e premtja, kur rreth 2200 marinsa pritet të mbërrijnë në rajon.
Ata mund të pasohen nga një njësi tjetër ekspeditare e marinsave, si dhe elementë komandues dhe një brigadë luftarake nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë. Kjo mund të përshkruhet si diplomaci në stilin Trump: një dorë zgjatet, ndërsa tjetra përgatitet për goditje. A do ta sfidojë sërish ky regjim Trump-in që të zbatojë kërcënimet e tij? Dhe a ishte kjo strategjia e Presidentit që në fillim?
Të dyja palët mbeten larg një marrëveshjeje. Trump përsërit kërkesat e tij para luftës: çmontimin e asaj që ka mbetur nga programi bërthamor, dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar dhe kufizimin e programit të raketave. Zyrtarët iranianë përsërisin refuzimet e tyre dhe kërkojnë në mënyra të ndryshme garanci, dëmshpërblime, largimin e forcave amerikane nga rajoni dhe pagesa për kalimin në Hormuz, një rrugë ujore ndërkombëtare. Të gjitha këto janë të papranueshme, gjë që shpjegon skepticizmin e zyrtarëve arabë dhe izraelitë.
Trump tha se i dërguari i tij, Steve Witkoff, po flet me një “person të rëndësishëm” në Iran, që besohet gjerësisht të jetë Mohammad-Bagher Ghalibaf. Ai është kryetar i Parlamentit, ish-kryetar bashkie, ish-shef policie dhe komandant i Gardës Revolucionare, si dhe një oportunist i sprovuar. Disa i shohin transformimet e tij të shumta politike dhe akuzat për korrupsion si shenja se ai mund të jetë figura fleksibile që SHBA kërkon. Të tjerë e shohin si një figurë të ashpër të regjimit, pa dëshmi për dëshirë për të ndryshuar politikat e Iranit.
Nuk është e sigurt nëse Ghalibaf mund të flasë në emër të regjimit iranian. Ai është një nga zyrtarët më të lartë që kanë mbetur, por a do të ndjekë Garda Revolucionare drejtimin e tij? Sa hapësirë ka ai për të vepruar? Një arsye për të eksploruar bisedimet mund të jetë pikërisht për ta kuptuar këtë. Të martën, Trump tha se regjimi iranian i kishte dhënë SHBA-së një “dhuratë” të papërcaktuar, siç kishte premtuar, në lidhje me naftën dhe gazin. Kjo tregonte, sipas tij, se “po merremi me njerëzit e duhur”. Por ai gjithashtu u dha atyre një “dhuratë”, duke lehtësuar sanksionet amerikane për eksportin e naftës iraniane.
Hapi i ardhshëm është organizimi i një takimi, nëse Irani e dëshiron një të tillë. Regjimi mund të mendojë se koha është në anën e tij; Ngushtica e Hormuzit është e bllokuar dhe Trump u tërhoq të hënën. Por shumë shpejt do të vijë sërish e premtja, dhe me Presidentin Trump nuk dihet çfarë mund të ndodhë. Mund të mos e dijë as vetë ai.
Megjithatë, mbetet e rëndësishme që ai të kuptojë se një tërheqje përballë regjimit tani do të linte një “armë” iraniane drejtuar botës, një veto të provuar mbi rrjedhën e energjisë.
Kina dhe Rusia, mund të arrijnë në përfundimin se ai nuk mund të përballojë presionin politik të brendshëm nga çmimet e larta të naftës.
“Një plumb i vetëm ndaj njërit prej njerëzve tanë ose anijeve tona, dhe unë do të godisja Ishullin Kharg,” terminali i eksportit të naftës së Iranit, kishte thënë Trump në vitin 1988, duke shtuar “do të hyja dhe do ta merrja.”
Tani ai është President, dhe historia dhe Bota duan të dinë nëse ky premtim mbetet ende në fuqi. /Përshtatur nga WSJ/
Lini një Përgjigje