TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Prill 2026, 07:39

Lufta me Iranin, Trump: Konflikti do të përfundojë brenda 2-3 javësh

Shkruar nga Pamfleti

Ndërkohë qeveria iraniane ende nuk ka marrë një vendim nëse do të zhvillojë negociata me Shtetet e Bashkuara, tha të martën Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.

Lufta me Iranin, Trump: Konflikti do të përfundojë brenda 2-3
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Sekratari i Shtetit, Marco Rubio

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se Irani nuk ka nevojë të bëjë një marrëveshje që ai të përfundojë luftën, sepse konflikti mund të përfundojë brenda dy deri në tre javësh.

Trump u tha gazetarëve se SHBA-të i kanë arritur qëllimet e vendosura para se të fillonin sulmet ajrore kundër Iranit në fund të muajit të kaluar në bashkëpunim me Izraelin. Ai thotë se qëllimi kryesor i kufizimit të aftësisë së Iranit për të pasur një armë bërthamore është arritur dhe se SHBA-të tani po "përfundojnë punën".

Presidenti amerikan u tha gjithashtu gazetarëve se përgjegjësia për mbajtjen e hapur të ngushticës së Hormuzit do të mbetet mbi vendet që mbështeten në të.

"Kjo nuk është për ne... Kjo do të jetë për këdo që e përdor ngushticën", tha ai.

Më vonë, Sekretari i Shtetit Amerikan, Marco Rubio, i tha Fox News se SHBA-të do të duhet të rivlerësojnë marrëdhënien me NATO-n pas përfundimit të konfliktit në Iran.

"Mendoj se, për fat të keq, do të duhet të rishqyrtojmë nëse kjo aleancë që i ka shërbyer mirë këtij vendi për një kohë, ende po i shërben këtij qëllimi.Nëse tani kemi arritur në një pikë ku aleanca e NATO-s do të thotë se nuk mund të përdorim [bazat ushtarake amerikane në Evropë]... atëherë NATO është një rrugë me një drejtim.", tha ai.

Nga ana tjetër, Irani ka sulmuar Kuvajtin duke shkaktuar një zjarr të madh në rezervuarët e karburantit në aeroportin e tij ndërkombëtar.

Ndërkohë qeveria iraniane ende nuk ka marrë një vendim nëse do të zhvillojë negociata me Shtetet e Bashkuara, tha të martën Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.

Duke folur për rrjetin televiziv Al Jazeera të Katarit, ministri i jashtëm iranian shprehu mosbesimin e Teheranit.

"Nuk kemi besim se negociatat me Shtetet e Bashkuara do të sjellin rezultate. Niveli i besimit është në zero.", tha ai.

Teherani do të pranonte vetëm një ndërprerje të plotë të armiqësive në rajon, jo një armëpushim që do të parashikonte vetëm një pezullim të sulmeve kundër Iranit, tha Araghchi, me sa duket duke iu referuar Libanit, ku Izraeli u përfshi në një luftë të re me lëvizjen shiite Hezbollah, e cila është afër Republikës Islamike, në fillim të marsit.

Ai iu referua, për herë të parë, komunikimit të drejtpërdrejtë me qeverinë amerikane.

Ai shpjegoi se po shkëmbente mesazhe me të dërguarin special të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff.

"Po marr mesazhe nga Witkoff drejtpërdrejt, si më parë", por "kjo nuk do të thotë se jemi në negociata", theksoi ai në rrjetin televiziv.

Abbas Araghchi vuri në dukje gjithashtu se qeveria iraniane as nuk i ishte përgjigjur propozimit prej 15 pikash që thuhet se kishte bërë Uashingtoni, dhe as nuk kishte paraqitur kundërpropozimin e vet.

"Pretendimi (nga Uashingtoni) për negociata me këdo në Iran nuk është i vërtetë", këmbënguli ai.

lufta me iranin trump konflikti do të përfundojë brenda 2-3 javësh

Lini një Përgjigje