
Kancelari i ri i Gjermanisë Friedrich Merz, deklaroi se Evropa duhet të zhvillojë kapacitetet e saj të mbrojtjes përballë tensioneve në rritje mes SHBA dhe Evropës, lidhur me Ukrainën dhe financimet për NATO-n.
“Për mua, prioriteti absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të arrijmë me të vërtetë pavarësinë nga SHBA në fushën e mbrojtjes”, tha Merz.
Ai deklaroi se pas deklaratave të presidentit të SHBA Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë indiferentë ndaj fatit të Evropës.
“Pas deklaratave të Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë gjerësisht indiferentë ndaj fatit të Evropës”, shtoi ai.
Lidhur me ndikimin e Elon Musk në zgjedhjet gjermane, Merz e quajti mbështetjen ndaj partisë AfD “drastike” duke e krahasuar me ndërhyrjen e Rusisë në të kaluarën.
Ndërsa Merz po përgatitet për të formuar qeverinë si kancelar i ardhshëm i Gjermanisë, ai u pyet për shpejtësinë e krijimit të një qeverie të re. Kancelari i ri u shpreh se do të jetë “e vështirë” të formohet një qeveri, por pohoi se kjo pritet të ndodhë së shpejti.
Friedrich Merz deklaroi me bindje se është i sigurt se do të arrihet formimi i një qeverie deri për Pashkët, në muajin prill.
“Evropa pret që ne të kemi një qeveri të fortë shumë shpejt”, theksoi ai.
Lini një Përgjigje