
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar pas lajmit për fitoren e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Fredi Beleri në bashkinë e Himarës.
Në një fjalim të mbajtur në Zografou, Mitsotakis ka deklaruar me tone të ashpra se rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicës greke, raportojnë mediat fqinje.
“Isha veçanërisht i lumtur kur u informova se në Himarë, Fredi Beleri ia doli dhe u zgjodh kryetar komune me një diferencë të vogël. Dhe uroj dhe shpresoj që kjo aventurë të marrë fund së shpejti. Rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke”, u shpreh Mitsotakis.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u shpall fitues në Bashkinë e Himarës. Me vetëm 19 vota para Bleri ka arritur që të fitojë kundrejt Jorgo Goros. Kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë", ka fituar 3837 vota në total, kundrejt 3818 vota që ka fituar Jorgo Goro.
Fredi Beleri është arrestuar pak pas mesnate të premten, para lokalit të tij bashkë me një person tjetër, pasi akuzohet për shit-blerjet votash, për zgjedhjet lokale. Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla.
Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues. Bashkë me Belerin, pas hekurave ka përfunduar dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Lini një Përgjigje