TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Gusht 2024, 07:21

Do të garojë kundër Trump, Kamala Harris zgjidhet zyrtarisht kandidatja demokrate për presidente

Shkruar nga Pamfleti

Ajo do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë dhe e para aziatike amerikane që do të udhëheqë një parti të madhe në SHBA.

Do të garojë kundër Trump, Kamala Harris zgjidhet zyrtarisht
Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris

Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris është tashmë de-fakto kandidatja e demokratëve për zgjedhjet presidenciale.

Kreu i Partisë Demokratike të ShBA-së, Jaime Harrison konfirmoi se Harris ka marrë mjaftueshëm vota nga delegatët demokratë. Votimi online do të zgjasë deri të hënën ditë kur Harris do të pranojë zyrtarisht kandidimin.

Ajo do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë dhe e para aziatike amerikane që do të udhëheqë një parti të madhe. Delegatët filluan të hedhin votat e tyre virtuale që të enjten.

Ndërkohë të hënën pritet të zbulohet dhe kandidati për zëvendës president. Për këtë Harris është konsultuar edhe me presidentin Biden.

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro është një kandidat i mundshëm zv/president. Por gjithashtu emrat e disa guvernatorëve të tjerë po qarkullojnë deri në një zgjedhje përfundimtare nga Harris.

Përveç ngjitjes së pandalshme në sondazhe, Harris ka thyer rekordin në mbledhjen e ndihmave financiare për fushatën. Ekipi i saj njoftoi se kishte mbledhur 310 milionë dollarë në Korrik, më shumë se dyfishi i fondeve të mbledhura nga Donald Trump.

Ndërsa financimi luan një rol thelbësor në fushatat amerikane, shpesh në shuma astronomike, kandidatja e re demokrate kishte mbledhur 200 milionë dollarë në më pak se një javë pas tërheqjes më 21 korrik të Joe Biden.

Të nominuarit presidencialë dhe nënpresidentë zakonisht mirohen në konventat e partisë së tyre.

Harris, 59 vjeçe, ka lindur në Oakland, Kaliforni dhe është kandidatja e parë demokrate në historinë gati 200-vjeçare të partisë që vjen nga një shtet perëndimor.

Ajo u ngjit në rangjet e politikës shtetërore nga prokurorja e qarkut të San Franciskos te prokurorja e përgjithshme e Kalifornisë dhe më pas senatorja amerikane.

Para se të largohej nga gara, Biden kishte fituar lehtësisht zgjedhjet paraprake demokrate. Ai nuk u përball me kundërshtime të ashpra pavarësisht shqetësimeve të votuesve për moshën e tij dhe kishte fituar mbështetjen nga 99% e delegatëve të premtuar të Kongresit të Partisë Demokratike.

Por 81-vjeçari u përball me presion të përshkallëzuar nga brenda partisë për t'u tërhequr pas një debati të dobët të qershorit kundër Trump.

Vendimi për të mbajtur një proces virtual nominimi përpara konventës së 19-22 gushtit u mor ndërsa zoti Biden ishte ende kandidati i supozuar.

Ai erdhi si përgjigje ndaj rregullave për aksesin e fletëvotimeve në shtetin e Ohajos, që kërkon që kandidatët për votën e nëntorit të zgjidhen zyrtarisht 90 ditë para zgjedhjeve - ose deri më 7 gusht.

Udhëheqësit republikanë në shtet kishin paralajmëruar se do të zbatonin ligjin dhe, megjithëse ligjvënësit përfundimisht krijuan një përjashtim siç kanë bërë në të kaluarën, demokratët thanë se një thirrje e hershme do të parandalonte rreziqet e mëtejshme që kandidatët e tyre të përjashtoheshin nga votimi.

Delegatët nuk kanë nevojë të votojnë për zgjedhjen e zëvendëspresidentit. Zonja Harris pritet të emërojë kandidatin e saj deri të hënën.

kamala harris us election trump

Lini një Përgjigje