TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Gusht 2024, 22:16

Pse Putin e sheh si triumf shkëmbimin e të burgosurve Perëndim-Rusi?!

Shkruar nga Pamfleti

Pse Putin e sheh si triumf shkëmbimin e të burgosurve

Kremlini beson se është rast për tu festuar. Të burgosurit rusë u pritën me tapet të kuq.

Ka diçka që Vladimir Putin e bën rrallë; të shkojë në aeroport për të takuar njerëz jashtë avionit. Për më tepër, personalisht.

Por ai shkoi në aeroportin Vnukovo të Moskës për të takuar dhe përshëndetur me të burgosurit, lirimin e të cilëve Putin e kishte siguruar nga burgjet e huaja; pjesë e shkëmbimit më të madh të të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.

Nga avioni dolën 10 persona, duke përfshirë spiunë, agjentë dhe një vrasës të dënuar.

“Urime për kthimin në Atdhe!”, u tha Putin atyre.

Kremlini beson se është rast për tu festuar. Të burgosurit rusë u pritën me tapet të kuq. Kishte buqeta me lule dhe për disa, përqafime nga presidenti. Putin përqafoi Vadim Krasikov, vrasësin e FSB-së, i cili po vuante një dënim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një disidenti çeçen me origjinë nga Gjeorgjia.

Putin u premtoi të burgosurve të gjitha çmimet shtetërore.

“Unë do të doja t’ju drejtohesha disa prej jush që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shërbimin ushtarak. Faleminderit për besnikërinë tuaj ndaj betimit dhe detyrën tuaj ndaj atdheut, i cili nuk ju ka harruar për asnjë moment”, tha Putin gjatë fjalës së tij.

Ndërsa mediat pro-Kremlinit publikuan lajmin me titull: Urime për kthimin e të burgosurve në Atdhe.

“Tetë rusë që ishin burgosur në vendet e NATO-s janë kthyer në Atdhe në këmbim të individëve që kishin vepruar në dëm të sigurisë kombëtare të Rusisë”, thuhet në gazetën qeveritare.

Përpjekjet për të diskredituar kritikët dhe kundërshtarët; lavdërime të bollshme për mbështetësit besnikë që portretizohen si patriotë të vërtetë. E gjithë kjo i ndihmon autoritetet të bëjnë që populli rus të besojë se shkëmbimi i të burgosurve ishte një sukses për Kremlinin.

Nuk ka dyshim se Kremlini e sheh shkëmbimin e të burgosurve si një fitore për Moskën. Ajo mori atë që donte… ajo mori agjentët e saj, duke përfshirë njeriun që ishte nr. 1 në listën e dëshirave të saj, Krasikov.

Autoritetet gjermane fillimisht nuk kishin qenë të gatshme të lironin një vrasës të dënuar, për të cilin një gjykatë gjermane arriti në përfundimin se veproi në emër të autoriteteve ruse.

Por pse ishte kaq e rëndësishme për Kremlinin që të siguronte lirimin e Vadim Krasikov dhe ta kthente atë në atdhe?

“Ne po i kthejmë djemtë tanë”, është titulli i gazetës qeveritare "Rossiyskaya Gazeta".

“Ne nuk e braktisim të tonën!”, deklaron tabloidi pro Putinit "Komsomolskaya Pravda".

Ky është pikërisht mesazhi që Kremlini dëshiron tu dërgojë agjentëve dhe spiunëve të tij: nëse ju dërgojmë në misione jashtë vendit dhe gjërat shkojnë keq, ne do të gjejmë një mënyrë për t’iu kthyer në shtëpi./BBC

Lini një Përgjigje