
Mbështetja nga figura të partisë dhe sondazhet e fundit e vendosin kryebashkiakun e Manchesterit përballë Reform UK në një garë me rëndësi simbolike
Ish-sekretari britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili dha dorëheqjen këtë javë pa sfiduar drejtpërdrejt liderin laburist Keir Starmer, deklaroi të premten mbështetjen e tij për Andy Burnham.
“Na duhen lojtarët tanë më të mirë në fushë,” tha Streeting, duke shtuar “nuk ka asnjë dyshim që Andy Burnham është një prej tyre.”
Megjithatë, mbetet e mundur që Burnham ose ministra të tjerë të kabinetit të kërkojnë një garë të plotë për lidershipin e partisë, në vend të një kalimi të drejtpërdrejtë të drejtimit te ai, nëse fiton zgjedhjet e pjesshme.
Burnham pritet të paraqesë javën e ardhshme vizionin e tij të quajtur “Manchesterism”, një qasje politike që synon t’i bëjë njerëzit të ndihen të lidhur dhe të investuar në komunitetet e tyre locale, dhe mënyrën se si ky model mund të zbatohet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas një analize të institutit Survation, të shpërndarë për gazetën The Guardian, Laburistët me Burnham si kandidat do të fitonin ngushtë ndaj Reform UK në zonën Makerfield, me 45% kundrejt 43%. Nëse partia do të paraqiste një kandidat tjetër, mbështetja për Laburistët do të binte në 27%, ndërsa Reform UK do të arrinte në 53%.
Rezultatet janë bazuar në modelime të të dhënave zyrtare zgjedhore, regjistrimeve të censusit dhe sondazheve nga zgjedhjet e fundit të pjesshme në Gorton dhe Denton.
Në një zhvillim që shihet si goditje për Laburistët, Partia e Gjelbër konfirmoi të premten se do të garojë në Makerfield. Vendimi u kritikua edhe nga ish-liderja e saj, Caroline Lucas.
Kjo garë po shihet si një përballje simbolike për drejtimin politik të vendit. Reform UK e Nigel Farage ka deklaruar se do të investojë maksimalisht për të fituar mandatin. Selia qendrore e partisë pritet të zgjedhë kandidatin, ndërsa ekziston shqetësimi se votat e djathta mund të ndahen nga kandidati i partisë së re konservatore “Restore Britain”, e lidhur me Rupert Lowe.
Neal Lawson, këshilltar i afërt i Burnham, argumentoi se kryebashkiaku i Greater Manchester ka një profil elektoral të pazakontë.
“Ai tërheq si votuesit e të Gjelbërve ashtu edhe ata të Reform UK, dhe askush tjetër nuk arrin ta bëjë këtë,” tha Lawson.
Sipas tij, Burnham e sheh këtë garë si një mundësi për t’u përballur drejtpërdrejt me Nigel Farage dhe të djathtën britanike.
“Kjo është një ndryshim real, jo kozmetik. Është ndryshim i thellë politik, demokratik, ekonomik dhe social,” deklaroi ai, duke shtuar se mbështetja e Burnham për përfaqësimin proporcional dhe pluralizmin politik mund të tërheqë edhe votuesit e Partisë së Gjelbër.
Megjithatë, disa deputetë laburistë mbeten të shqetësuar për rrezikun politik nëse Burnham humbet mandatin. Disa prej tyre kanë shprehur pakënaqësi që ai nuk ka zgjedhur një zonë më të favorshme elektorale.
Një deputet laburist e përshkroi Makerfield si “pikën absolute zero të zemërimit të votuesve të ‘murit të kuq’ ndaj Reform UK”, duke paralajmëruar se Burnham do të duhet të fitojë pothuajse të gjitha votat e të Gjelbërve dhe Liberal Demokratëve, si edhe të marrë mbështetje shtesë nga votuesit e Reform UK, për të siguruar fitoren.
Lini një Përgjigje