Spanja e sheh gjithnjë e më të kërcënuar sigurinë kombëtare: kontrabandistët e drogës po përdorin metoda gjithnjë e më brutale, ndërsa në Atlantik po rritet numri i anijeve ruse.
Në Ngushticën e Gjibraltarit, Qendra e Operacioneve dhe Mbikëqyrjes Detare (COVAM) numëron 600 skafe të shpejta të përdorura nga kontrabandistët e drogës dhe paralajmëron gjithashtu për një shtim të anijeve të “flotës fantazmë ruse” në Mesdhe dhe pranë Ishujve Kanarie. Sipas raportit kombëtar të sigurisë për vitin e kaluar, monitorohen deri në 50 anije-cisternë çdo javë.
Sipas raportit, prania e anijeve ruse është pesëfishuar gjatë vitit 2025, veçanërisht në Atlantik, pranë brigjeve të Ishujve Kanarie. Nervozizmi po shtohet edhe për faktin se më shumë se 20 kabllo nënujore kalojnë nëpër ujërat përreth. Ato lidhin ishujt me njëri-tjetrin, me Spanjën dhe me Amerikën e Jugut. Këto anije-cisternë, shpesh të vjetra dhe të pasigurta, nuk transportojnë vetëm naftë nga Rusia, si edhe nga Irani dhe Venezuela. Në të kaluarën, ato dyshohet se janë përdorur edhe në Detin Baltik për akte të mundshme sabotimi rus.
Raporti i konsideron aktivitetet e mafies së drogës si kërcënim për sigurinë kombëtare, për shkak të përplasjeve të armatosura, akteve hakmarrëse, rrëmbimeve dhe rekrutimit të të miturve. Sipas raportit, trafikantët nuk hezitojnë të përplasin skafe ose automjete në tokë kur policia u afrohet shumë. Dokumenti i është dorëzuar Parlamentit spanjoll, shkruan media gjermane FAZ.
Kontrabandistët përdorin edhe armë lufte
Kjo “agresivitet në rritje” shfaqet edhe përmes përdorimit të “armëve të luftës”. Për këtë arsye, sindikatat e policisë në Spanjë kërkojnë urgjentisht përforcime, pasi prania e skafeve të drogës vërehet përgjatë gjithë bregdetit andaluzian, nga Almería deri në Ayamonte, në kufi me Portugalinë. Së fundmi, sipas raportit, kontrabandistët janë zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt zonës kufitare me Portugalinë dhe bregdetit të Algarves.
Vetëm një javë më parë, dy policë spanjollë humbën jetën në një aksident gjatë një ndjekjeje pranë Huelvës. Vitin e kaluar, një polic portugez u vra në lumin kufitar Guadiana, pasi kontrabandistët përplasën skafin e tij. Një incident i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2024 në portin e Barbates, në provincën spanjolle të Kadizit, ku humbën jetën dy efektivë policie.
Javën e kaluar, hetuesit njoftuan se gjatë dy operacioneve ndërkombëtare u sekuestruan gjithsej 41 tonë kokainë. Policia ndërhyri edhe në brigjet spanjolle, ku konfiskoi dhjetëra mijëra litra benzinë të destinuara për skafet e shpejta.
Sipas vlerësimit të autoriteteve spanjolle të sigurisë, veçanërisht rruga nga Maroku drejt Spanjës është “rigjallëruar”. Në një gjuhë diplomatike të pazakontë, raporti e përshkruan Marokun si “prodhuesin më të madh të hashashit në botë”.
Vetëm 14 kilometra e ndajnë Marokun nga Spanja. Skafet që transportojnë disa tonë drogë e përshkojnë këtë distancë për rreth dhjetë minuta. Motorët e fuqishëm arrijnë mbi një mijë kuaj fuqi dhe skafet mund të lëvizin me shpejtësi deri në 140 kilometra në orë. Për këtë arsye, policia shpesh nuk arrin t’i ndjekë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje