
Stërvitjet ushtarake të Bjellorusisë nisën vetëm një ditë pasi Rusia njoftoi se synon të kryejë stërvitje për simulimin e përdorimit të armëve bërthamore të fushëbetejës, si përgjigje ndaj deklaratave të zyrtarëve perëndimorë...
Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka paralajmëruar luftë bërthamore.
Në një deklaratë për mediat, Lukashenko u shpreh se Bjellorusia do t’i përgjigjet menjëherë çdo agresori që do të sulmojë.
“Nëse dikush do të përdorte këto armë kundër nesh, ne do të përgjigjeshim menjëherë, nuk ka vija të kuqe: çdo agresion do të zmbrapset me një përgjigje të menjëhershme”, tha presidenti i Bjellorusisë.
Nga ana tjetër Bjellorusia ka marrë një sërë masash për planifikimin dhe ushtrimin e sulmeve me armë bërthamore.
Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin njoftoi se sot morën urdhrin për të kryer një inspektim të forcave dhe mjeteve të transportuesve të armëve bërthamore jostrategjike. Ai shtoi se një njësit i raketave me rreze të mesme veprimi, dhe një skuadrilje e avionëve luftarakë, Su-25, do të marrin pjesë në stërvitje.
Stërvitja ushtarake do të bëhet me raketat dhe avionët luftarakë që janë në gjendje të mbartin armë taktike bërthamore, të cilat aleatja e saj e ngushtë, Rusia, i dërgoi atje një vit më parë.
Stërvitjet ushtarake të Bjellorusisë nisën vetëm një ditë pasi Rusia njoftoi se synon të kryejë stërvitje për simulimin e përdorimit të armëve bërthamore të fushëbetejës, si përgjigje ndaj deklaratave të zyrtarëve perëndimorë.
Kjo ishte hera e parë që Moska njoftoi publikisht për një stërvitje të tillë.
Këto stërvitje nisën në ditën kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri betimin për mandatin e tij të pestë, duke u zotuar për garantimin e sigurisë së Rusisë.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, mbështetet në lidhjet e ngushta me Rusinë, teksa kjo e fundit ka ofruar vendin e vet si terren strategjik për luftën në Ukrainë.
Moska theksoi se armët taktike bërthamore të zhvendosura në Bjellorusi janë nën kontrollin ushtarak të Rusisë.
Zhvendosja e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila ndan një vijë kufitare prej 1.084 kilometrash me Ukrainën, do t’i mundësonte raketave dhe avionëve luftarakë rusë të arrijnë cakun e tyre me më shumë lehtësi dhe shpejtësi, nëse Moska vendos t’i përdorë ato.
Gjithashtu i mundëson Rusisë t’i godasë më lehtë disa aleatë të NATO-s në Evropën Lindore dhe atë Qendrore.
Në dallim nga raketat interkontinentale balistike bërthamore, të cilat mund të shkatërrojnë qytete të tëra, armët taktike bërthamore, të prodhuara për t’u përdorur kundër trupave në fushëbeteja, janë më pak të fuqishme.
Lini një Përgjigje