Senatori amerikan Bernie Sanders ka kritikuar ashpër luftën ndaj Iranit, duke e cilësuar atë si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, në një moment kur protesta të gjera “No Kings” po zhvillohen në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një fjalimi në protestën kryesore në St. Paul, Minnesota, Sanders deklaroi se administrata amerikane po mashtron publikun lidhur me konfliktin, duke e krahasuar situatën me luftërat e mëparshme.
“Le të jemi të sinqertë. Populli amerikan u mashtrua për luftën në Vietnam, u mashtrua për luftën në Irak dhe po mashtrohet sot për luftën në Iran,” tha senatori demokrat.
Ai rikujtoi gjithashtu se Donald Trump kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do t’i jepte fund “luftërave të pafundme”, duke e konsideruar ndërhyrjen aktuale në kundërshtim me këtë angazhim.
“Ky është një konflikt që shkel të drejtën ndërkombëtare. Një shtet sovran nuk mund të sulmojë një tjetër sipas dëshirës,” shtoi Sanders.
Senatori u zotua se do të kundërshtojë kërkesën e Trump për një rritje prej 200 miliardë dollarësh të shpenzimeve ushtarake për operacionet në Iran.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë të rëndësishme politike në SHBA, përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, ku Partia Republikane e Trump do të përballet me një test të rëndësishëm elektoral.
Lini një Përgjigje