Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të reja ushtarake kundër Iranit dhe për këtë arsye pritet të zhvillojë sot një takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar hapat e ardhshëm në konfliktin me Teheranin.
Lajmi bëhet i ditur nga “Axios”, duke cituar tre zyrtarë amerikanë.
Sipas burimeve, Trump vazhdon të kërkojë një marrëveshje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të tensioneve, por refuzimi i Iranit për të pranuar shumë nga kërkesat amerikane dhe mungesa e gatishmërisë për lëshime të rëndësishme mbi programin bërthamor kanë rikthyer opsionin ushtarak në tryezë.
Shtetet e Bashkuara kishin pritur për 10 ditë përgjigjen e Iranit ndaj propozimit amerikan për përfundimin e konfliktit. Fillimisht, Shtëpia e Bardhë ishte optimiste se qëndrimi iranian do të tregonte progres drejt një marrëveshjeje.
Megjithatë, përgjigjja që mbërriti të dielën nuk u konsiderua pozitive nga administrata amerikane. Duke folur para gazetarëve, Trump e përshkroi atë si “shumë të keqe”.
Në takimin e sotëm pritet të marrin pjesë zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Dan Caine, drejtori i CIA-s John Ratcliffe, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Lini një Përgjigje