Megjithatë, po forcohet një prirje tashmë e njohur në epokën Trump: përdorimi i deklasifikimeve masive si instrument politik për të krijuar pritshmëri dhe për t’u paraqitur si garantues të një transparence të re përballë abuzimeve, komploteve dhe heshtjeve të administratave të mëparshme amerikane.
Pentagoni ka nisur publikimin e grupit të parë të dosjeve të klasifikuara mbi Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara (UAP), ose ndryshe UFO (objekte fluturuese të paidentifikuara). Ky veprim i fundit i administratës së Donald Trump ka shkaktuar polemika.
Komuniteti amerikan i interesuar për UFO-t ka pritur prej kohësh atë që shumë e konsideronin si një moment të rëndësishëm për fenomene ende të panjohura. Trump dhe shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, kanë mbështetur“operacionin e së vërtetës”, duke lënë të kuptohet se versionet zyrtare të publikuara deri tani përmbajnë boshllëqe, heshtje të tepërta dhe elemente misterioze. Por a është vërtet kështu?
162 dosjet e publikuara deri më tani zbulojnë shumë pak elemente të reja dhe në fakt, nuk japin përgjigje të qarta për pyetjen që ka ushqyer prej kohësh debatin: nëse autoritetet amerikane kanë fshehur prova për kontakte mes njerëzve dhe entiteteve jashtëtokësore.
Megjithatë, po forcohet një prirje tashmë e njohur në epokën Trump: përdorimi i deklasifikimeve masive si instrument politik për të krijuar pritshmëri dhe për t’u paraqitur si garantues të një transparence të re përballë abuzimeve, komploteve dhe heshtjeve të administratave të mëparshme amerikane.
Kjo mënyrë komunikimi synon të rikthejë narrativën e “kënetës së Uashingtonit”, duke krijuar kontrast mes një pushteti aktual që paraqitet si i fortë dhe transparent dhe një klase politike të kaluar të përshkruar si e heshtur dhe e komprometuar. Një qasje e ngjashme ishte përdorur edhe me dosjet e John Fitzgerald Kennedy-t dhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024 me sloganin “Lironi Dosjet!” lidhur me çështjen Jeffrey Epstein.
Modeli tashmë është i qartë: politika e debatit dhe e ideve po zëvendësohet nga kërkimi për gjestin sensacional, dokumentin vendimtar dhe sekretin potencialisht revolucionar. Çfarë fshihte Epstein? Kush e vrau vërtet Kennedyn? A janë UFO-t dëshmi e fenomeneve aliene që vizitojnë Tokën dhe për të cilat qeveria amerikane di më shumë nga sa pranon publikisht? Këto pyetje përdoren vazhdimisht për të zhvendosur vëmendjen nga tema më konkrete si inflacioni, konfliktet ndërkombëtare dhe krizat gjeopolitike.
Ky mekanizëm krijon një cikël të vazhdueshëm pritshmërish: qytetarëve u premtohet vazhdimisht se do të zbulohen të vërteta të fshehura dhe do të vendoset drejtësi. Vëmendja publike përqendrohet te misteret dhe jo te problemet konkrete, ndërsa zbulimet e shumëpritura rrallë sjellin përgjigje përfundimtare. Arkivat kanë vlerë historike, por nuk janë depo misterioze të mbushura me sekrete të pakapshme. Kushdo që arkivon një dokument e bën këtë me dijeninë se ai mund të shqyrtohet dhe të publikohet në të ardhmen.
Ata që kanë studiuar seriozisht fenomenin UAP/UFO kanë shprehur skepticizëm ndaj këtij publikimi.
“Nuk ka asgjë të papritur në publikimin e tyre. Dhe pa analizë apo kontekst, kjo vetëm do të ushqejë spekulime të mëtejshme, teori konspirative dhe pseudoshkencë”, deklaroi për “Scientific American” Sean Kirkpatrick, drejtori i parë i Zyrës për Zgjidhjen e Anomalive në të Gjitha Domenet (AARO), organ i Pentagonit që studion fenomenet ajrore të panjohura.
Sipas Kirkpatrick, dokumentet pritet të nxisin më shumë spekulime, ndërsa materialet e publikuara dominohen nga video të nxjerra jashtë kontekstit dhe mungesa e informacioneve thelbësore të reja.
Rritja e interesit për UFO-t ka ardhur pas presionit të teorive të përhapura nga burime anonime në rrjetet sociale, të cilat kanë ushqyer prej dekadash dyshimet për një mbulim të qëllimshëm të kontakteve me inteligjencë jo-njerëzore dhe mjete kozmike të rrëzuara. Por, sipas analizës së “Spectator”, rezultati përfundimtar ka qenë zhgënjyes. Mesazhi real lidhet me demokracinë amerikane dhe raportin mes pushtetit dhe opinionit publik: mbështetja te hapja e arkivave për të zbuluar të vërteta të supozuara nuk tregon besim të fortë te institucionet dhe mekanizmat e pushtetit. Përkundrazi, ajo mund të thellojë më tej polarizimin në një Amerikë tashmë të ndarë.
Dhe ndërsa rastet JFK, Epstein dhe UFO konsumohen në debatin publik, duket se edhe publiku po shfaq lodhje ndaj këtyre “zbulimeve” të shpallura si vendimtare. / Përshtati “Pamfleti”, nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje