
Të dy liderët i hodhën poshtë dekadat e politikave të konsoliduara në vendet e tyre, për të afruar Moskën dhe Uashingtonin, teksa shkaktuan përçarje me aleatët e tyre tradicionalë.
Rusët e krahasojnë MAGA-n me Perestrojkën, dhe shpresojnë që ajo të nxisë shpërbërjen e SHBA-së, siç ndodhi 34 vite më parë me Bashkimin Sovjetik.
Njëri ishte një zyrtar i Partisë Komuniste, ngritja e të cilit në pushtet çoi në rënien përfundimtare të Bashkimit Sovjetik. Tjetri është një biznesmen njujorkez megaloman, rikthimi i të cilit në Shtëpinë e Bardhë e ka tronditur Uashingtonin por edhe më gjerë.
Mikail Gorbaçov dhe presidenti amerikan Donald Trump, janë të ndarë nga dekada kohë por edhe nga pesha gjeopolitike. Megjithatë, paralelet midis lidershipit përçarës të dy burrave janë vënë re tashmë në Moskë.
“Trump është Gorbaçovi amerikan!”- shkroi Zvezda, një rrjet televiziv në pronësi të Ministrisë Ruse të mbrojtjes. Dhe MAGA është Perestrojka amerikane”- shtoi më tej, duke iu referuar “ristrukturimit” ekonomik të Bashkimit Sovjetik nga Gorbaçovi.
Dhe ngjashmëritë nuk janë të vështira për t’u dalluar. Të dy liderët i hodhën poshtë dekadat e politikave të konsoliduara në vendet e tyre, për të afruar Moskën dhe Uashingtonin, teksa shkaktuan përçarje me aleatët e tyre tradicionalë.
Braktisja e dogmës sovjetike nga Gorbaçovi, çoi në një shkëputje me shtetet komuniste të vijës së ashpër siç ishte Gjermania Lindore. Ndërsa qëndrimi gjithnjë e më pro-rus i Trumpit mbi luftën në Ukrainë, ka shkaktuar shumë tronditje në vendet evropiane.
Megjithatë, ndërsa Gorbaçovi u lavdërua në Perëndim për rolin e tij në dhënien fund të Luftës së Ftohtë, ai fajësohet dhe madje urrehet nga shumë rusë për shembjen e Bashkimit Sovjetik.
Por krahasimi që po bëhet këto ditë në Moskë, midis udhëheqësit sovjetik dhe Trumpit, nuk synon të jetë një kompliment, por më tepër të rritë shpresat se sulmi i presidentit ndaj vlerave liberale, do të shkaktojë shpërbërjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
“Amerika e shekullit XXI, po shkon drejt një ndarjeje serioze në shoqëri, midis nevojave dhe parimeve krejtësisht të ndryshme të jetës. Atje nuk mund të përjashtohet mundësia e një lufte civile”- deklaroi muajin e kaluar deputeti rus Andrey Lugovoi.
Vitin e kaluar, filmi hollivudian “Lufta Civile” u ndoq me vëmendje nga zyrtarët pro-rusë. Madje disa prej tyre e panë si një shenjë domethënëse. “Hollivudi nuk realizon pa arsye filma të tillë”- tha ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, që është ende një zyrtar i lartë në fushën e sigurisë.
Të martën Yuri Podolyaka, një bloger i njohur ushtarak pro-rus, shkroi në rrjetin social Telegram: “Ajo që po shohim sot në SHBA, më krijon një ndjenjë të fortë Deja Vu-je. Ne e kemi parë diçka të tillë në Bashkimin Sovjetik, në gjysmën e dytë të viteve 1980.E vetmja gjë që do të doja t’i uroja Donaldit është suksesi, në mënyrë që ‘ristrukturimi’ që synon ai për SHBA-në, të përfundojë në të njëjtën mënyrë si i yni”.
Trump dhe Gorbaçov u takuan në vitin 1987 në ambasadën sovjetike në Uashington. Edhe pse Gorbaçovi ishte shumë popullor në Perëndim, Trump nuk ishte i impresionuar nga ai. Shumë kohë para kritikës së tij të fundit ndaj presidentit ukrainas Zelensky, që u etiketua si një hero nga udhëheqësit perëndimorë pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022, Trump e cilësoi “një katastrofë” qeverisjen e udhëheqësit reformist sovjetik.
“Rusia është jashtë kontrollit dhe udhëheqja e di këtë. Ky është problemi im me Gorbaçovin. Ai nuk është një udhëheqës mjaftueshëm i fortë”- deklaroi ai në vitin 1990 në një intervistë për revistën “Playboy”.
Trump mund ta shohë Rusinë e presidentit Putin si më të përputhshme me shijet e tij, nëse do marrë pjesë në paradën ushtarake të Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, e cila do të festojë 80-vjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste.
Kremlini ka thënë se Trump do të ishte i mirëpritur. Një shëtitje në Moskë nga Trump, do të ngjallte kujtimet jo vetëm të presidentit Reagan që vizitoi Sheshin e Kuq me Gorbaçovin në vitin 1988, por edhe seancat e improvizuara të takimeve dhe përshëndetjeve të Gorbaçovit me turmat entuziaste gjatë vizitës së tij në SHBA në vitin 1990.
Megjithatë, përmirësimi i marrëdhënieve midis Moskës dhe Perëndimit me nxitjen e Gorbaçov, çoi në një lehtësim të tensioneve ndërkombëtare, dhe për pak kohë edhe premtimin për një botë më paqësore. Në të kundërt, afrimi i madh i Trump me Kremlinin, ka shtuar frikën në Evropë, se ajo mund të jetë objektivi i ardhshëm i Putinit, nëse Uashingtoni firmos një marrëveshje paqeje në Ukrainë sipas kushteve të Rusisë.
Në një takim urgjent të udhëheqësve evropianë javën e kaluar në Paris, kryeministri polak Donald Tusk tha:“Një kapitullim i detyruar i Ukrainës, do të nënkuptonte një kapitullim të gjithë komunitetit të Perëndimit. Ne do të përballemi me të gjitha pasojat negative të këtij skenari. Dhe askush të mos pretendojë se nuk e sheh këtë”.
Nina Hrushov, analiste e marrëdhënieve ndërkombëtare në Nju Jork, dhe njëherazi stërmbesa e Nikita Hrushovit, i cili udhëhoqi Bashkimin Sovjetik në vitet 1953-1964, është shprehur: “Nëse e krahasojmë Trumpin me Gorbaçovin, atëherë a po e pranojmë se rendi perëndimor është në shtratin e vdekjes? Nëse është kështu, dhe revolucioni i Trump është Perestrojka në kahun e kundërt, atëherë situata në Amerikë do të përkeqësohet, dhe po ashtu edhe në mbarë botën”.
Por qasja jo e ashpër e Trump ndaj marrëdhënieve me Rusinë, nuk duhet të jetë i gjithi një lajm i keq. Traktati i fundit i mbetur në fuqi mbi armët bërthamore midis Moskës dhe Uashingtonit, NEW START, do të përfundojë vitin e ardhshëm, dhe as që kanë nisur bisedimet për zëvendësimin e tij.
Dështimi për ta bërë këtë, do të çonte thuajse me siguri në një garë të re armësh midis Lindjes dhe Perëndimit. Afrimi i Rusisë me SHBA-në nën drejtimin e Gorbaçovit, çoi në nënshkrimin e një traktati historik mbi armët në vitin 1991.
A mund ta përsërisë Trump atë arritje? Jon B.Wolfsthal, një ekspert bërthamor amerikan, shkroi në një artikull për uebsajtin “Buletin of the Atomic Scientists” se “një marrëveshje mbi armët bërthamore, mund të forcojë pretendimin e Trumpit se ai meriton një çmim Nobel për paqe ... një nga dëshirat e tij më të vjetra”.
Në këtë aspekt, Trump do të imitonte Gorbaçovin. Udhëheqësit të fundit sovjetik iu dha çmimi Nobel për përfundimin e Luftës së Ftohtë./ Përshtati "Pamfleti" nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje