
Hamasi dorëzoi trupat e katër pengjeve izraelite ndërsa qindra të burgosur palestinezë pritet të lirohen nga Izraeli, në një shkëmbim të fundit si pjesë e armëpushimit në Gaza.
Armëpushimi hyri në fuqi më 19 janar dhe është respektuar përgjithësisht, pavarësisht pengesave të shumta. Por faza e parë e tij do të përfundojë këtë javë dhe synon t’i japë fund luftës. Hamasi tha se nuk ka marrë ndonjë propozim deri më tani.
Pas disa ditësh ngërçi, ndërmjetësit egjiptianë siguruan dorëzimin e trupave të katër pengjeve të fundit në fazën e parë të marrëveshjes, në këmbim të 620 palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite në Gazë ose të burgosur në Izrael.
Izraeli refuzoi më herët lirimin e të burgosurve, pasi Hamasi dorëzoi gjashtë pengje në një ceremoni të inskenuar duke shfaqur para një turme në Gazë pengjet dhe arkivolet me eshtra të pengjeve të vdekura, përpara se t’i dorëzonte, një veprim që ngjalli kritika të ashpra, përfshirë nga Kombet e Bashkuara. Dorëzimi i fundit nuk u shoqërua me një ceremoni të tillë.
Trupat po i nënshtrohen identifikimit fillestar në territorin izraelit dhe njoftimi zyrtar do t’u jepet familjeve të pengjeve pasi të përfundojë procesi. Një ekzaminim i plotë mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun e vdekjes për katër pengjet e fundit të dorëzuar do të bëhet në vazhdim, sipas ministrisë izraelite të shëndetësisë.
Rreth 30 pengje janë vrarë në Gazë, ku disa u vranë nga Hamasi dhe disa si pasojë e sulmeve izraelite.
Lini një Përgjigje