Sfondi dhe indikacionet se presidenti amerikan u tërhoq në minutën e fundit dhe nuk e sulmoi Iranin
Gazeta gjermane Bild ka publikuar detaje të reja rreth prapaskenave të një vendimi të minutës së fundit nga Presidenti amerikan Donald Trump për të mos ndërmarrë një sulm ajror ndaj Iranit, edhe pse gjithçka tregonte se përballja ushtarake ishte në prag. Në të njëjtën kohë, sipas rrjetit britanik Sky News, aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln është nisur drejt Lindjes së Mesme, një lëvizje që shton tensionet në rajon.
Sipas Bild, të gjitha sinjalet në mbrëmjen e së mërkurës tregonin se SHBA-të po përgatiteshin për një ndërhyrje ushtarake në Iran: avionët luftarakë ishin ngritur në ajër dhe nisi evakuimi i personelit ushtarak amerikan që nuk kishte rol të domosdoshëm në rajon. Në të njëjtën kohë, hapësira ajrore mbi Iran u mbyll dhe nga baza ushtarake amerikane në Katar u nisën avionë cisternë për furnizim në ajër – një lëvizje që zakonisht paraprin një ofensivë ajrore në shkallë të gjerë.
Një zyrtar amerikan, në kushte anonimiteti për New York Times, ka deklaruar se bombardues me rreze të gjatë veprimi ishin në gatishmëri për të realizuar sulme dytësore në rast se situata do e kërkonte. Por ndërkohë, Trump doli publikisht nga Zyra Ovale dhe tha se regjimi iranian nuk kishte ndërmend të ekzekutonte protestues, duke krijuar idenë se përplasja ushtarake ishte shtyrë për një moment tjetër.
Gazeta Bild rikujton se është e vështirë të dihet se çfarë mendon realisht Trump dhe i referohet precedentit të qershorit të kaluar, kur ai simuluar një konflikt me Netanyahu për të fshehur nisjen e një sulmi ajror ndaj objekteve bërthamore iraniane. Megjithatë, sipas analistit ushtarak izraelit Amir Mohbot, që citon burime të tij të brendshme, këtë herë Trump vërtet e ndaloi vetë sulmin në momentin e fundit dhe i tha këshilltarëve të tij se do godiste Iranin vetëm nëse do ishte e sigurt që regjimi do rrëzohej.
Por këshilltarët e Trump nuk mundën të japin një garanci të tillë. Përkundrazi, paralajmëruan se SHBA-të ndoshta nuk kanë mjaftueshëm trupa dhe logjistikë në rajon për t’u përballur me kundërpërgjigjen e mundshme të Iranit, e cila parashikohet të jetë e ashpër dhe e përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, burime nga NewsNation konfirmojnë se aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln është larguar nga Deti i Kinës Jugore dhe po ndjek urdhrat e Komandës Qendrore të SHBA-ve, që mbulon operacionet në Azi dhe Lindjen e Mesme. Pamjet satelitore të së mërkurës e tregojnë atë teksa kalon në ujërat pranë Filipineve.
Të gjitha këto zhvillime sugjerojnë se Uashingtoni, edhe pse mund të ketë shtyrë një përballje direkte, është larg nga tërheqja – dhe se opsioni ushtarak ndaj Teheranit mbetet gjithmonë mbi tryezë.
Lini një Përgjigje