Në daljen e parë publike për vitin e ri 2026, Presidenti rus Vladimir Putin u shfaq në Kremlin për t’u dorëzuar letrat kredenciale ambasadorëve të rinj të akredituar në Moskë. Në një fjalim të ngarkuar me mesazhe për botën perëndimore, ai artikuloi edhe një herë vizionin e Kremlinit për të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe rendin ndërkombëtar.
“Besojmë se ka ardhur koha për t’u rikthyer te një dialog serioz mbi zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë – dhe sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë për të gjithë”, u shpreh Putin. Por menjëherë shtoi me ton kritik: “Jo të gjithë janë gati për këtë. As Kievi, as kryeqytetet që e mbështesin atë. Megjithatë, shpresojmë se do të vijë një moment kur do ta kuptojnë këtë nevojë jetike. Deri atëherë, Rusia do të vazhdojë me këmbëngulje të ndjekë objektivat e saj”.
Presidenti rus e paraqiti luftën si pasojë direkte e “mosrespektimit të interesave legjitime të sigurisë së Rusisë”, duke përmendur se paqja “nuk vjen vetë, por ndërtohet çdo ditë përmes përpjekjes, përgjegjësisë dhe zgjedhjes së vetëdijshme”.
Ai lëshoi një tjetër mesazh të fortë ndaj Perëndimit: “Siguria e një vendi nuk mund të ndërtohet në kurriz të tjetrit. Ka ardhur koha për një sistem të ri ndërkombëtar ku vendet të mos diktojnë me forcë se si duhet të jetojnë të tjerët.”
Putin theksoi gjithashtu se Moska është e gatshme të ndërtojë marrëdhënie me çdo vend që është i hapur për bashkëpunim dhe që mbështet rolin e Kombeve të Bashkuara në menaxhimin e çështjeve globale. Sipas tij, “kaos, anarki dhe mungesë burimesh po godasin dhjetëra vende”, ndërsa diplomacia po zëvendësohet nga “veprime të njëanshme e të rrezikshme”.
Për marrëdhëniet me Evropën, ai shprehu se: “Moska është e gatshme të rifillojë dialogun me vendet evropiane – një dialog që është ndërprerë për faj të tyre. Rusia mbetet e angazhuar për komunikim të ndërtuar mbi respektin e interesave kombëtare dhe shqetësimeve legjitime të sigurisë”.
Lini një Përgjigje