TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Janar 2026, 18:29

Analiza e një psikologu: Fëmijëria e Putinit na tregon çfarë do të bëjë më pas!

Shkruar nga Richard Wood
Analiza e një psikologu: Fëmijëria e Putinit na tregon
Vladimir Putin

Trauma e një fëmijërie të dhunshme, e ka shndërruar Vladimir Putinin në një udhëheqës që nuk njeh kompromisin, por vetëm përshkallëzimin e pamëshirshëm si mjet mbijetese politike...

Vladimir Putin u rrit në një mjedis veçanërisht brutal dhe kërcënues, madje edhe për standardet e Rusisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse ka shumë gjëra që nuk i dimë për 10 vitet e para të jetës së tij, ajo që dimë sugjeron se gjatë viteve të adoleshencës ai u rrit në një mjedis shumë të ashpër.

Oborri i ndërtesës ku ai jetonte në Shën Petersburg ishte qendra e jetës së përditshme.

Ai vend mund të ishte i tmerrshëm, veçanërisht për një djalë shtatshkurtër. Siç kanë dokumentuar biografët e tij, si Philip Short, shumë banorë të këtij oborri u bënë më vonë pjesë e botës së krimit.

Nuk është e vështirë të imagjinosh se fëmijëria e tyre duhet të ketë qenë e mbushur me dëshpërimin që shkaktonte varfëria e Rusisë së pasluftës. Sipas rrëfimit të Short, alkooli dhe droga ishin të pranishme kudo në atë oborr.

Më shumë mundësi, ato përdoreshin për të zbutur dëshpërimin, por mund të imagjinohet se kjo vetëm sa e rriste pasigurinë dhe kërcënimin në takimet e tyre të përditshme. Realiteti i të qenit fizikisht i vogël duhet t’i ketë bërë përshtypje Putinit, duke nënvizuar disavantazhin dhe cenueshmërinë e skajshme me të cilën duhej të përshtatej.

Si një autor psikoanalitik dhe terapist, unë besoj se ka mjaftueshëm dëshmi nga fëmijëria e tij, plus provat e shumta të jetës së tij si i rritur, për të arritur në përfundimin se ai është një narcist malinj. Ç’dua të them me këtë?

Po përshkruaj një personalitet që është organizuar rreth nevojës për t’u mbrojtur nga traumat e rënda të hershme që ka pësuar. Kjo do të thotë mbyllje ndaj komunitetit dhe lidhjeve njerëzore. Në vend të hapjes dhe cenueshmërisë, narcisti malinj e prezanton veten si një figurë të fuqishme dhe dominuese.

Nevoja për të tjerët zëvendësohet me pretendime për madhështi dhe sjellje që synon të frikësojë dhe nënshtrojë të tjerët. Narcisti malinj imagjinon se bota rreth tij është po aq e pashpirt, brutale dhe lakmitare sa ai vetë.

Atë e alarmojnë fyerjet e vogla, aktet e parëndësishme të kundërshtimit dhe pohimet e individualitetit, duke nxitur kundërsulme të pamëshirshme dhe shpesh disproporcionale.

Jeta e tij është shumë e vetmuar; vëmendja e ndjekësve servilë nuk mund ta kënaqë kurrë nevojën e tij për përvoja njerëzore pasuruese.

Për pasojë, ai është përjetësisht “i uritur”. Oreksi i pakontrolluar për pushtet, para, famë dhe mizori i shtrembëron zgjedhjet që bën, ashtu siç bën edhe paranoja në rritje. Me kalimin e kohës, Putin bëhet gjithnjë e më i prirur drejt gabimeve flagrante në gjykim.

Ai i kompenson këto dështime me shtypje dhe kërcënime në rritje. Këto janë tipare që Putini i shfaq qartë dhe që mbase u mbollën në vitet e tij të hershme. Një biograf tjetër i tij, Steven Lee Myers, sugjeron se si fëmijë ai ndoshta ka qenë shënjestër e bullizmit, megjithëse Putini nuk e ka konfirmuar kurrë këtë.

Të jesh i ashpër dhe të shfaqësh një qëndrim hiper-maskilist të palëkundur është një strategji e njohur në situata të tilla. Ky është një mjet për të gjetur vend në hierarkinë e pamëshirshme të asaj bote.

Si i rritur, Putini u bë i famshëm me fotot e tij duke kalëruar i zhveshur në pjesën e sipërme të trupit.

Putin jo vetëm mbijetoi, por lulëzoi në mjedisin e rinisë së tij, duke u bërë “Mbreti i pamposhtur i Oborrit”, i njohur për egërsinë fizike, këmbënguljen dhe guximin e tij. Short citon në një vend shokun e tij të shkollës, Victor Borisenko: “Vladimiri nuk kishte frikë... Nëse ndonjë djalë trupmadh e fyente, ai i sulej menjëherë... E gërvishte, e godiste, i shkulte tufa flokësh... Nuk ishte më i forti në klasë, por në përledhje fizike mundte këdo sepse futej në furi dhe luftonte deri në fund”.

Nga vetë Putini mësojmë edhe më shumë për qasjen e tij ndaj luftimit fizik. Në autobiografinë e tij “Në vetë të parë”, ai shkruan: “E fillova sportin rreth moshës 10 ose 11 vjeç. Sapo u bë e qartë se natyra ime luftarake nuk do të më mbante ‘Mbret të Oborrit’, vendosa të merresha me boks. Por nuk vazhdova për shumë kohë. Më thyen shpejt hundën... Pastaj vendosa të merrem me Sambo... Artet marciale ishin popullore në atë kohë... Xhudoja nuk është thjesht sport, është filozofi. Është respekt për më të moshuarit dhe kundërshtarin. Nuk është për të dobëtit”.

Ekspertiza e Putinit në xhudo, një sport që e lejon dikë më të vogël të përdorë përmasat e tij për të mposhtur dikë më trupmadh, padyshim që e forcoi reputacionin e tij si “djalë i fortë”. Kjo përshtatet saktësisht me profilin e narcistit malinj që dëshiron të shfaqet si figura dominuese që përmenda.

Jeta e tij si i rritur konfirmon se ai nuk u ndje kurrë mjaftueshëm i sigurt për të hequr dorë nga ky qëndrim. Ai vazhdonte të kërkonte sherre, duke u kapur pas provokimeve të vogla për t’u përfshirë në përleshje fizike, edhe pse kjo rrezikonte karrierën e tij si agjent i KGB-së.

Putin ishte indiferent ndaj rrezikut, pjesërisht sepse shërbimi në KGB i ofronte mbrojtje nga policia e zakonshme. Si politikan, personaliteti i tij përcaktohet nga një sërë cilësish: mungesa e mëshirës, mungesa e plotë e ndjeshmërisë, aftësia për të projektuar kërcënim dhe mizori, aftësia për të mbajtur maska të ndryshme sipas audiencës, dhe një etje e pashuar për pushtet.

Po ashtu, vihet re nevoja për të shtypur individualitetin e të tjerëve. Në Rusinë e tij, drejtësia është shkatërruar, ashtu si liria e shtypit dhe zgjedhjet e lira. Në vend të tyre, ka mbetur vetëm një njeri për të ndërmjetësuar “të vërtetën”: Vladimir Putin.

Zërat kundërshtarë janë shtypur, mërguar, rrahur, helmuar ose hedhur nga dritaret. Duke parë drejt së ardhmes, Putin e di se nuk ka mjetet e duhura ushtarake për të mposhtur Evropën Perëndimore. Ky realitet ka formësuar vizionin e tij strategjik.

Qëllimi i tij përfundimtar është destabilizimi i qeverive demokratike që e pengojnë në arritjen e synimeve të tij. Kjo s’ka të bëjë me ideologjinë apo ndërtimin e një perandorie; por me një personalitet të pamëshirshëm, pa  empati, që udhëhiqet nga nevoja për të rritur veten, pavarësisht kostos që kjo i shkakton shoqërisë njerëzore.

Përfundimet e kësaj analize janë të zymta. Së pari, Putini nuk ka gjasa ta braktisë luftën në Ukrainë, përveçse nëse detyrohet. Së dyti, ai ka të ngjarë të përdorë migracionin, ushqimin dhe energjinë si armë për të rritur popullaritetin e ekstremit të djathtë në Evropë.

Shkeljet e fundit në hapësirën ajrore evropiane sugjerojnë se ai shpreson t’i detyrojë demokracitë evropiane të shpenzojnë më shumë për armë dhe më pak për programet sociale që mbajnë stabilitetin e qeverive.

Objektivat që Putini i ndjek me aq pamëshirshmëri, rriten nga narcizmi malinj që e përcakton atë si njeri. Dhe ai rrjedh nga kërcënimi dhe dhuna brutale që e karakterizoi fëmijërinë e tij./ Përshtati "Pamfleti", nga “The Intelligent Papers”

Shënim: Dr. Richard Wood, psikolog klinik dhe redaktor i librit “Refleksione psikoanalitike mbi Vladimir Putinin: Kostoja e lidershipit djallëzor” (Routledge, 2024).

fëmijëria e putinit

Lini një Përgjigje