TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Janar 2026, 18:55

Akuzohen për shtypjen e protestave dhe pastrim parash, SHBA sanksionon 18 zyrtarë të Iranit!

Shkruar nga Pamfleti

Akuzohen për shtypjen e protestave dhe pastrim parash, SHBA sanksionon 18

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj asaj që e cilësojnë si “arkitektët e shtypjes brutale të demonstruesve paqësorë nga regjimi iranian”, duke rritur presionin ndaj Teheranit mes tensioneve të vazhdueshme.

Në një deklaratë zyrtare, Departamenti i Thesarit i SHBA-së bëri të ditur se masat ndëshkuese synojnë gjithashtu rrjetet bankare në hije, të cilat, sipas Uashingtonit, i mundësojnë elitës së Iranit të vjedhë dhe të pastrojë të ardhurat e gjeneruara nga burimet natyrore të vendit.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, theksoi se SHBA-të mbështesin fuqimisht popullin iranian në thirrjet e tij për liri dhe drejtësi.

Me udhëzimin e Presidentit Trump, po sanksionojmë udhëheqësit kryesorë iranianë të përfshirë në shtypjen e protestuesve dhe do të përdorim çdo mjet në dispozicion për të goditur ata që qëndrojnë pas represionit të regjimit,” deklaroi Bessent.

Sipas Departamentit të Thesarit, në listën e sanksioneve përfshihet edhe sekretari i Këshillit Suprem për Sigurinë Kombëtare të Iranit, si dhe 18 individë dhe subjekte të tjera që luajnë role kyçe në pastrimin e të ardhurave nga shitjet e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane në tregjet e huaja.

Autoritetet amerikane theksojnë se këto masa synojnë të kufizojnë burimet financiare të regjimit iranian dhe të dërgojnë një mesazh të qartë se shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimet financiare nuk do të mbeten pa pasoja.

trump shba sanksione

Lini një Përgjigje